“Loja” me kompetencat për monitorimin e lejeve mjedisore ka bërë që institucionet përgjegjëse të mos ushtrojnë detyrën. Ministria e Mjedisit jep lejet mjedisore, ndërkohë që inspektorët e saj e kanë të pamundur të ushtrojnë kontrolle në terren duke kërkuar ndihmë nga banorët e zonës që t’i sinjalizojnë kur shohin probleme.
Nga Avushe Zhuka
Mungesa e kontrollit dhe monitorimit të kontratave koncesionare, lejeve mjedisore, ndërtimit të veprave, punimeve në terren si dhe aktiviteteve të hidrocentraleve ka sjellë një situatë kaotike dhe me pasoja të mëdha për mjedisin në vendin tonë. Përgjegjësia direkte për këtë situatë bie mbi strukturat shtetërore të cilat pas dhënies së lejeve për ndërtimin e hidrocentraleve pa kriter nuk monitoruan thuajse asnjëherë subjektet dhe situatën në terren. Moskoordinimi i institucioneve, mungesa e kontrolleve, numri i ulët i inspektorëve dhe pamundësia për inspektuar çdo subjekt u përkthyen në dëmtime pa kriter në mjedis.
Në shkurt të vitit 2014, me urdhër të ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, kompetencat për dhënien e lejeve mjedisore i kaluan përfundimisht Agjencisë Kombëtare të Mjedisit. Po sa janë monitoruar këto HEC-e nga strukturat përgjegjëse dhe cilat kanë qenë problematikat? Inspektorët e agjencive rajonale të mjedisit flasin për një situatë të vështirë që është bërë shkak edhe për mungesën e monitorimit të aktivitetit të HEC-eve në terren. Njëri prej inspektorëve të mjedisit në Elbasan thotë se kjo drejtori nuk ka kapacitet të mjaftueshëm të burimeve njerëzore për të monitoruar subjektet e lejeve mjedisore, ndër të cilat hidrocentralet. Inspektori i Inspektoriatit të Mjedisit për Qarkun e Elbasanit, Sadush Sharku pohon se ka vështirësi për shkak se për të gjithë qarkun janë vetëm 10 inspektorë mjedisi, ndërkohë që mungojnë edhe mjetet e transportit. “Nuk kemi strukturë të mjaftueshme për të ndjekur nga afër problemet e shkatuara në mjedis”, deklaron Sharku.
Inspektori i mjedisit bën apel për bashkëpunim duke u kërkuar banorëve të zonës të sinjalizojnë çdo rast ku ata vënë re shkelje apo çdo problem që hasin nga mosrespektimi i marrëveshjes midis banorëve dhe ndërtuesit. “Ne kërkojmë bashkëpunimin e e qytetarëve, sinjalizimin e tyre për shkeljet që vënë re, pasi është e pamundur që ne të kontrollojmë çdo subjekt. Në disa raste kemi pasur sinjalizime nga kryetarët e komunave, por dhe banorët duhet të bashkëpunojnë. Në qoftë se do të marrim sinjalizim gjithmonë do të jemi pranë komunitetit”, shprehet Sharku. Përsa i përket masave administrative që janë marrë ndaj shkelësve inspektorët e mjedisit thonë se ka qenë vetëm një rast. Bëhet fjalë për një subjekt i cili ka shkaktuar një dëm të madh mjedisor dhe për këtë ndaj tij është marrë masa administrative 80 milionë lekë gjobë.
Gjatë 5 viteve të fundit janë lejuar dhe miratuar leje për ndërtim hidrocentralesh në zona të mbrojtura. Bëhet fjalë për 113 vepra ku pjesa më e madhe e tyre i përkasin zonës së Elbasanit dhe Librazhdit në Parkun Kombëtar Shebenik-Jabllanicë. Kjo zonë u shpall Park Kombëtar me vendim të Këshillit të Ministrave nr.640, datë 21.05.2008. Parku me një sipërfaqe prej 33.927,66 hektarë është ndarë në katër zona, ku zona qendrore prej 14.046 hektarë përfshin habitatet kryesore natyrore dhe si zonë me vlera të larta për natyrën siguron një territor të pashqetësuar. Vetëm në zonën e katërt të përcaktuar si zonë e përdorimit tradicional me një sipërfaqe prej 12 420 hektarë mundësohet vazhdimi i veprimtarive tradicionale dhe ekonomike e ku mund të ushtrohen veprimtari të reja vetëm me leje mjedisore. Por nga vëzhgimet e bëra vihet re se veprat e marrjes së HEC-eve shtrihen edhe në zonat e tjera të Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanicë. “Vetëm në zonën e Shmillit, Orenjës janë dhënë leje për 10 vepra marrje, në pjesën më të madhe të tyre uji futet në tubacione”, thotë eksperti i ujërave Molnar Kolaneci. 6 leje të tjera për HEC-e janë dhënë në zonën e Qarrishtës, po kështu leje janë miratuar edhe në pellgun Hotolisht, Quk e Bushtricë.
Problemet e monitorimit të HEC-eve janë bërë edhe më të dukshme pas kalimit të kompetencave nga një institucionte një tjetër. Në këtë “lojë” kompetencash institucioneve lokale nuk u ka mbetur shumë për të bërë. Nga Agjencia e Baseneve Ujore dhe Këshilli i Basenit Ujor në zonën e Elbasanit bëhet e ditur se ata nuk disponojnë asnjë dokument apo dosje për hidrocentralet në këtë zonë. Në ligjin “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore” parashikohet ndër të tjera se Agjencia e Baseneve Ujore duhet të përgatisë raporte, jap opinione për burimet ujore të cilat duhet t’i paraqesë për ndjekje të mëtejshme në Këshillin e Basenit Ujor. Por sipas drejtuesve të kësaj agjencie, atyre që nga viti 2012 u është hequr çdo kompetencë dhe përgjegjësia i ka kaluar zyrave qendrore të Tiranës. Në këtë agjenci veprimtaria është kufizuar në dhënien e një formulari aplikimi ku subjekti aplikon dhe më pas këto dokumente i kalojnë Tiranës.
Institucioni që ka si detyrë monitorimin e kontratave koncesionare për hidrocentralet është Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN). Kjo e fundit ka si objekt të veprimtarisë së saj zhvillimin, mbikëqyrjen e shfrytëzimit racional të burimeve natyrore në bazë të politikave qeverisëse dhe monitorimin e postshfrytëzimit të tyre në sektorin minerar, hidrokarbur dhe energjetik. Në faqen zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore gjendet dokumenti lidhur me monitorimin e HEC-eve. Ky dokument përfshin hartimin e programit vjetor dhe planet mujore për monitorimin e kontratave koncesionare për hidrocentralet; organizimin e hedhjes në bazën e të dhënave të të gjithë informacionit teknik për çdo kontratë koncesionare, monitorimi në terren i hidrocentraleve sipas planit të monitorimit, përgatitja e raporteve të detajuara nga specialistët mbi zbatimin e detyrimeve kontraktuale për çdo kontratë koncesionare. Po kështu, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore ka për detyrë përgatitjen e raporteve 3-mujore për autoritetin kontraktues në bashkëpunim me sektorët përkatës si dhe përgatitjen e informacioneve 2-mujore, 4-mujore, 6-mujore, 9-mujore dhe vjetore mbi realizimin e planit të monitorimeve.
Por duket se ky institucion ka pasur një mungesë rakordimi me autoritetin kontraktor për monitorimin. Ky fakt bëhet i ditur në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) ku thuhet se nga ana e Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore është konstatuar mungesë rakordimi të veprimeve me autoritetin kontraktor për monitorimin dhe ndjekjen e zbatimit të kontratave. Veçanërisht mbi dokumentacionin ekonomiko-financiar që duhet të paraqesin koncesionarët për zbatimin e kontratës në faza të ndryshme të ndërtimit (bilance, fatura etj.) të cilat mungojnë pothuajse për çdo kontratë koncesionare. “Një shkak për gjendjen e krijuar në fushën e dokumentacionit për monitorimin është nënshkrimi i kontratave ndërmjet ish-Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe koncesionarëve pa përfshirë Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore si institucioni monitorues. Rrjedhimisht të drejtat e detyrimet janë drejtpërdrejtë me autoritetin kontraktor dhe jo me Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore e cila bën monitorimin e zbatimit të këtyre kontratave”, thuhet në raportin e KLSH-së. Ndër të tjera, KLSH rekomandon që duhet të përcaktohet qartë detyrimi dhe përgjegjësia ligjore e AKBN duke bërë dhe plotësime të nevojshme ligjore për monitorimin dhe ndjekjen e zbatimit të kontratave si i vetmi organ i specializuar dhe me burime njerëzore të mjaftueshme.
Mungesa e monitorimit evidentohet qartë edhe nga disa vëzhgime të bëra në terren. Në shumë raste koncensionarët e trajtojnë lumin si pronën e tyre private. Nuk lejohet kalimi në pjesën e lumit që të çon drejt veprës marrëse pasi hyrja bllokohet me porta, ndërkohë që me materialin e shtratit të lumit krijohet rrugë transporti e cila kthehet në pronë. Mosrehabilitimi i zonës pas përfundimit të punimeve tregon gjithashtu për mungesën e kontrollit nga ana e strukturave shtetërore. Ndërkohë që minstri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri e sheh krejt ndryshe situatën duke folur për një kontroll të plotë të kryer mbi kontratat koncensionare. “Është kryer një monitorim i imtë i të gjitha kontratave në HEC-e, sidomos atyre hidrocentraleve që janë në zhvillim. Një pjesë e tyre dihet tashmë se kanë dështuar për arsye se nuk kanë patur projekte të mira apo nuk kanë pasur fizibilitet ekonomik ndërsa një pjesë tjetër po zhvillohet”, ka pohuar ministri.
Ndryshe nga ministri Gjiknuri, Kryeministri Edi Rama ka pohuar se ka pasur probleme me monitorimin e punimeve gjatë ndërtimit të hidrocentraleve. Sipas tij, është konstatuar se nuk kryhet rehabilitimi i zonës pas përfundimit të punimeve dhe se dëmtimet mjedisore të shkaktuara nga punimet janë të ndryshme. Lidhur me këtë situatë, Kryeministri ka bërë të qartë se nuk do të lejohen më abuzimet me HEC-et. “Nga 113 leje të dhëna në zona të mbrojtura, 42 HEC-e janë në prodhim, 23 HEC-e janë në ndërtim, ndërsa 48 HEC-e të tjera nuk kanë filluar punë dhe nuk do të fillojnë pasi në projektligjin që propozohet për të rishikuar lejet e dhëna do të ndalohet ndërtimi i HEC-eve apo çdo lloj tjetër aktiviteti në zonat e mbrojtura”, ka theksuar Rama. Nga ana tjetër, duke ju referuar edhe inspektoriateve të mjedisit që nuk denoncojnë rastet e shkeljeve në mjedis por bashkëpunojnë me shkelësit e ligjit, Rama ka deklaruar se do të luftohet korrupsioni brenda strukturave shtetërore.
Your email address will not be published.
Ashpërsimi i ligjit, trefishohen dënimet për armëmbajtje pa leje
Këshillat e komunave, ja si abuzohet me listat e ndihmës ekonomike
Fushë Krujë, shpërthim tritoli brenda komisariatit të policisë
Lirohet Xhelal Mziun, mbështetësit e presin si hero
Zbulohet raporti i SHISH, kush janë shqiptarët e vrarë në Siri
Kjo faqe interneti u realizua me mbështetjen e popullit amerikan, përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), në kuadër të Programit për Forcimin e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri (JuST). Shoqata e Gazetarëve për Drejtësi (SHGD) mban përgjegjësi të plotë për brendinë e kësaj faqeje, e cila nuk përfaqëson domosdoshmërisht pikëpamjet e USAID-it apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara. © 2014, Të gjitha të drejtat janë të rezervuara nga Shoqata e Gazetarëve për Drejtësi - SHGD