Raport i gjyqit të krimeve para kryeministrisë/ Katër persona humbën jetën në një protestë antiqeveritare në fillim të vitit 2011, vrasje për të cilat akuzohet Garda e Republikës. Pas 39 seancash gjyqi ende mbeten të paqarta rrethanat e krimit…
Nga Leonard Bakillari
Edhe pas 39 seancave gjyqësore, dëshmive të dhjetëra dëshmitarëve dhe një akt-ekspertimi të FBI-së, e vërteta për atë që ndodhi në 21 janar ka ngecur në baltën e raporteve konfliktuale dhe kundërshtuese.
Prokurorët thonë se një plumb i drejtpërdrejtë i qëlluar nga një oficer i lartë i Gardës së Republikës vrau Ziver Veizin, ndërkohë që mbrojtja pretendon se në fillim ai u përplas me një pemë dhe bëri rikoshetë. Veizi dhe tre burra të tjerë, Hekuran Deda, Faik Myrtaj dhe Aleks Nika, u qëlluan me armë dhe u vranë kur po protestonin kundër qeverisë, duke bërë që të nisë debati dhe zemërata e madhe si brenda dhe jashtë sallës së gjyqit. Disa oficerë të Gardës së Republikës u akuzuan për vrasjen e tre prej këtyre burrave, ndërkohë që askush nuk është identifikuar apo akuzuar për goditjen fatale që i mori jetën Nikës.
Anëtarët e gardës gjithashtu u akuzuan për përdorim arme me qëllim vrasjen pasi qëlluan dhe plagosën persona të tjerë në turmë. Seanca e radhës, në të cilën pritet të jepet pretenca e prokurorisë, është caktuar të mbahet më datë 30 janar në Tiranë.
I akuzuari më i rëndësishëm është kreu i Gardës, Gjeneral Ndrea Prendi, për të cilin prokurorët thonë se është i implikuar me të shtënat prej provave shkencore të ofruara nga FBI-ja e Shteteve të Bashkuara. Është hera e parë që kreu në detyrë i Gardës akuzohet për vrasje, edhe pse Prendi nuk u dërgua asnjëherë në burg ndërkohë priste gjykimin rreth akuzave për vrasje dhe tentativave të shumta për vrasje teksa i qëllonte turmës. Dy gjykata të ndryshme kanë lëshuar urdhra për mbajtjen e tij në arrest shtëpie.
Një oficer tjetër i lartë i Gardës, Major Agim Llupo, nuk ka qenë kaq me fat, dhe vazhdon të mbetet i vetmi person i burgosur në pritje të vendimit të gjykatës. Edhe shoferi i Prendit, Margarit Kume, është duke pritur përfundimin e gjyqit për veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës gjatë hetimeve në gjendje të lirë.
Edhe pse hetimi filloi menjëherë pas ngjarjeve të 21 Janarit 2011, gjyqi kundër dy oficerëve të lartë ushtarakë filloi në 23 maj 2012, kur akuza vendosi se kishte mjaftueshëm prova për të kërkuar verdiktin e fajësisë. Qysh në fillim, mbrojtja këmbënguli në pafajësinë e tyre, duke i sulmuar opinionet e paraqitura nga agjenti i FBI-së dhe dëshmitarët e tjerë.
Që në seancën e parë gjyqësore të datës 23 maj, avokatët Genc Gjokutaj dhe Besnik Çerekja i kërkuan gjykatës të mos i pranonte akt-ekspertimet që përcaktonin shkakun e vdekjes së Ziver Veizit dhe Faik Myrtajt. Sipas avokatëve, akt-ekspertimi i FBI-së ishte hartuar disa ditë përpara se akuza të merrte vendimet dhe të urdhëronte kryerjen e tij.
Kur përfundoi seanca, të pranishmit dëshmuan një ritual të pazakontë dhe të habitshëm për një sallë gjyqi: Gjenerali Prendi i përcolli me shtrëngime duarsh efektivët e Gardës të vendosur në rresht për një teksa dilnin nga salla e gjyqit.
Më pas, kjo do të ishte gjëja më e zakonshme në këtë proces gjyqësor.
Dy javë më pas prokuroria do të rrëzonte me prova e fakte kërkesën e avokatëve duke vënë në dispozicion të gjykatës akte të dosjes që tregonin të kundërtën e atyre që pretendonte mbrojtja. Akt-ekspertimet ishin kryer konform procedurës dhe me vendimmarrje brenda afateve ligjore.
Prokurorët Blerim Tominaj dhe Adriatik Cama thirrën 10 dëshmitarë në seancën e radhës.
I pari që dëshmoi ishte Artes Dybeli. 23-vjeçari nga një fshat pranë kryeqytetit i tha gjykatës se sapo kishte përfunduar punën rreth orës 16:00 të asaj dite po shkonte në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të takuar një të njohurin e tij. Dëshmitari tha se ndodhej përballë kryeministrisë, në krahun tjetër të rrugës kur është qëlluar me dy plumba një në qafë dhe një në shpatull.
“Për momentin, nuk e kuptova se me çfarë u qëllova pasi kishte zhurmë të madhe nga krismat e armëve,” tha Dybeli. “Fillimisht mendova se ishin plumba manovër. Kur pashë gjakun që po më rridhte kuptova që nuk ishin plumba manovër”.
Ilia Qesku
Dy dëshmitarë të tjerë, Sokrat Gode, ish-oficer policie, i plagosur më 21 janar dhe Hysni Peposhi, dëshmuan se plumbat erdhën nga gardistët. Peposhi ndodhej pranë Hekuran Dedës në momentin e vrasjes.
“Ndodhesha rreth 35 metër larg portës së kryeministrisë, në një pozicion gati ballor. Në një moment ndjeva që m’u mpi krahu, por mendova se isha goditur me plumb gome. Më pas pashë gjakun. Brenda gardhit të kryeministrisë kam parë 2-3 pika që dilnin flakë nga armët”- tregoi Sokrat Gode.
Peposhi, i arsimuar në një shkollë ushtarake, i cili arriti të filmojë me celularin e tij vrasjen e Ziver Veizit dha një dëshmi të ngjashme.
“Unë isha duke filmuar kur pashë rënien e një personi afër portës së kryeministrisë. Sapo jam kthyer për t’i treguar Hekuranit, pashë që ai kishte rënë në tokë”- tha dëshmitari, duke shtuar se plumbat erdhën nga personat që ndodheshin në oborrin e kryeministrisë.
Zyhdi Dajti, asokohe kreu i Policisë Bashkiake dhe ish-ushtarak me përvojë ishte sipas prokurorëve një prej dëshmitarëve më të rëndësishëm në këtë proces. Në dëshminë e tij Dajti tha se e kishte kuptuar që në fillim se plumbat nuk ishin manovër. dhe identifikoi Agim Llupon si një prej gardistëve që kishte qëlluar në drejtim të turmës.
“Kam parë në dritaren e bodrumit të kryeministrisë, në pjesën anësore të saj një gardist që qëllonte prej aty. Më vonë mora vesh nga mediat se ai person është i pandehuri Agim Llupo”- ka thënë në dëshminë e tij Zyhdi Dajti.
Teksa gjykata dëgjonte dëshmitë e atyre që ndodheshin në demonstratën e 21 janarit, paralelisht nisi edhe një tjetër proces gjyqësor ndaj një njeriu të akuzuar se me dashje kishte fshirë gjithë filmimet që mund të tregonin qartazi se çfarë ndodhi atë ditë.
I pandehuri Armando Kasaj, me detyrë specialist IT në kryeministri, akuzohej se me dashje kishte fshirë pamjet filmike të 16 kamerave të vendosura përreth godinës së kryeministrisë. Prokurorët thanë se ato kishin filmuar gjithë ngjarjet e demonstratës.
Ekspertët e FBI-së dorëzuan një raport ku thuhej se : “Serveri i kryeministrisë është formatuar në mënyrë manuale”, – gjë që u pranua nga gjykata.
Pas katër seancash gjyqësore, prokurori Ndini Tavani kërkoi dënimin e zyrtarit të kryeministrisë me 2 vjet heqje lirie, por kjo kërkesë nuk u pranua dhe gjykata e shpalli të pafajshëm Armando Kasajn.
Vendimi u cilësua si goditje ndaj prokurorisë, e cila prej më shumë se një viti po përpiqej të zbardhte 21 janarin duke qenë nën presion të madh prej politikës. Kryeministri Sali Berisha e pati sulmuar vazhdimisht ish-kryeprokuroren Ina Rama, e cila ishte sulmuar dhe nga opozita që e quante institucionin që drejtonte ajo si “të mefshtë”.
Megjithatë procesi ndaj kreut të Gardës së Republikës vijoi me pyetjen e dy dëshmitarëve të tjerë të cilët ishin qëlluar gjatë demonstratës. Ilia Qesku dhe Ilia Papa i thanë gjykatës se ndodheshin përballë kryeministrisë në momentin kur u qëlluan. Ata shpjeguan se nuk po kryenin asnjë veprim dhe se ndodheshin në krahun tjetër të rrugës, kur janë qëlluar me armë zjarri.
Viktor Çervenaku, një tjetër dëshmitar në këtë proces rrëfeu në gjykatë momentet e fundit të Faik Myrtajt, për vrasjen e të cilit akuzohej drejtpërdrejt Komandanti i Gardës së Republikës, Ndrea Prendi.
“Ne ishim duke bërë shaka me Faik Myrtajn, në momentin kur ai bërtiti: “Diçka më kafshoi”. Menjëherë më pas ai ra përtokë dhe kur ne u afruam ai kishte vdekur”- tregoi Çervenaku.
Mbrojtja argumentoi se nuk kishte prova që Prendi kishte qëlluar. Ata sollën ekspertin e tyre që tha se nuk kishte prova shkencore që mund të përcaktojnë me saktësi nëse predha që i mori jetën të ndjerit Faik Myrtaj është qitur nga pistoleta e Ndrea Prendit. Eksperti i mbrojtjes i tha gjykatës se prokuroria kishte dërguar për ekspertim 27 pistoleta, por pa përcaktuar personat që i kanë përdorur ato.
Ilia Papa
Pavarësisht prej origjinës së plumbit, ende vihet në dyshim se pse u shti atë ditë.
Në korrik të vitit të shkuar gjykata thirri për të dëshmuar disa gardistë, mes të cilëve “Grupi i zjarrit” i përbërë nga gardistë që fillimisht u akuzuan për ngjarjet e 21 janarit dhe më pas u lanë të lirë. Gardistët mohuan para gjykatës të kenë qëlluar në drejtim të turmës, duke thënë se nuk kishin marrë asnjë urdhër për të qëlluar. Ata thanë se kanë qëlluar disa herë në ajër, pasi shefi i tyre i kishte paralajmëruar protestuesit me megafon të mos afroheshin në territorin e kryeministrisë.
Prendi u qëllua me sende të forta duke u gjakosur në fytyrë nga protestuesit sipas dëshmitarit Artan Hoxha, i cili zëvendësoi si i komanduar në krye të Gardës së Republikës Ndrea Prendin. Hoxha mohoi të ketë marrë apo dhënë urdhër për të qëlluar, por tha se “nëse do të ishte qëlluar mbi turmën, do ishte shkaktuar një masakër”.
Plagosjes së Prendit i mëshoi fort edhe avokati i tij mbrojtës dhe shtoi se ai i kishte urdhëruar gardistët të mos qëllonin.
Gardisti Ilir Duraku tha para gjykatës se komandanti i Gardës e kishte ndaluar të qëllonte.
“Një moment kur unë po bëhesha gati të qëlloja në ajër dëgjova komandantin që më bërtiti mos qëllo”- tha Duraku. Më pas ai tregoi se në atë moment Ndrea Prendin e ka parë të rrëzuar përtokë. “I hoqa skafandrën nga koka dhe pashë që ishte i gjakosur në sy.”
Plagosja ka qenë në fokus të vazhdueshëm të avokatëve mbrojtës, të cilët e kanë quajtur atë agresion nga ana e protestuesve. Avokati Genc Gjokutaj thirri si dëshmitare mjeken e Gardës së Republikës Vaide Meta, e cila tregoi se më 21 janar ishin qëlluar me sende të forta ose ishin asfiksuar nga gazi plot 78 efektivë policie dhe gardistë. Ajo dëshmoi se mes të plagosurve ishte dhe Prendi. Disa ditë pas 21 Janarit 2011, Ndrea Predi u shfaq në publik krahas kryeministrit Berisha dhe simbolikisht i hoqi syzet, duke treguar plagën në sy.
Opozita që ishte edhe organizatore e protestës hodhi dyshime se plaga ishte një shenjë grushti.
Në kundërshtim me pretendimet e mbrojtjes për një protestë të dhunshme në të cilën u sulmuan 78 oficerë policie, deputetët e opozitës thanë se forcat e Gardës kishin qëlluar në drejtim të protestuesve duke vrarë njerëzit që ishin me duar në xhepa.
Paulin Sterkaj tani deputet i Partisë Socialiste, dikur ish-funksionar i lartë i forcave anti-protestë (FNSH), i tha gjykatës se të shtënat erdhën nga kryeministria.
“Kam parë armët e gardistëve duke qëlluar. Grupet e gardistëve që ishin vendosur brenda rrethimit të kryeministrisë kanë filluar zjarrin pa shkak, pasi nuk kanë qenë të kërcënuar nga turma”- tha Sterkaj.
Në mes të procesit gjyqësor, majori Agim Llupo akuzoi prokurorinë se është treguar e njëanshme në hetime dhe nuk ka bërë asgjë për të zbardhur të vërtetën. Përkundrazi, sipas tij, prokurorët ishin përqendruar tek ai dhe kishin injoruar provat që tregonin se persona të tjerë ishin përgjegjës.
“Prokuroria ka gjetur tek unë fajtorin, por kjo nuk është e vërtetë. Prokuroria nuk ka kryer asnjë veprim hetimor ndaj meje, që në momentin që jam arrestuar”- tha Llupo duke protestuar për padrejtësi.
Pak para fundit të procesit, palët do të përfshiheshin në një debat të ashpër për mënyrën se si u vra Ziver Veizi. Nikolin Duraj, ekspert armësh i thirrur si dëshmitar nga mbrojtja, tha në gjykatë se predha që u gjend në trupin e Ziver Vizit ka një dëmtim që dallohet me sy të lirë. Kaq do të mjaftonte që mbrojtja të kërkonte ekspertë të tjerë, një pjesë e të cilëve do të këmbëngulnin në variantin se plumbi ka bërë rikoshetë.
Më 15 dhjetor të vitit të shkuar, eksperti Ndoc Çardaku bëri për herë të parë deklaratën e vet të bujshme.
“Në rrobat e Ziver Vizit janë gjetur mbetje të drunjta, çka tregon se plumbi është përplasur me një tjetër objekt para se të qëllonte viktimën”, – tha ai. Deklarata e Çardakut ngjalli debate, pasi nëse çka tha ai ishte e vërtetë, gjuajtjet fatale mund të kishin qenë aksidentale.
Eksperti Çardaku e zhvilloi edhe më tej teorinë e tij. Ai tha se mbetjet e drunjta janë gjetur në fibrat e këmishës së viktimës, ndërsa drejtimi i tyre ishte nga jashtë brenda. Sipas tij, njëra prej copëzave i përket lëvozhgës ndërsa tjetra pjesës së brendshme të trupit të një peme.
Menjëherë pas kësaj avokati Genc Gjokutaj akuzoi prokurorinë për fshehje provash.
Të ndodhur në këto kushte, dy prokurorët e çështjes kërkuan kohë për të shqyrtuar provat dhe u kthyen me një qëndrim mjaft të ashpër.
Prokurori Blerim Tominaj nuk nguroi ta quajë dëshminë e copëzave të drurit si të ngjashme me përrallat e 1001 netëve. Tominaj vuri në pah se që pretendimet e mbrojtjes të ishin të vërteta, mbetjet e drurit të goditura nga plumbi “me një shpejtësi më të madhe se e zërit, pasi u kanë rezistuar temperaturave mbi 1 mijë gradë kanë depërtuar xhupin, trikon për të mbetur përfundimisht në fibrat e këmishës për t’u zbuluar aty nga eksperti”- tha prokurori në seancën e datës 12 dhjetor 2012.
Logjika ishte kaq bindëse sa gjykata e konsideroi të pavlefshme të gjithë teorinë e ekspertit, duke thënë se “eksperti kishte tejkaluar kompetencat me këtë përfundim”.
Por kjo nuk i dha fund këtij diskutimi. Gjykata caktoi edhe dy dëshmitarë të tjerë për të hetuar mbetjet e drurit që pretendohej se ishin gjetur në këmishën e viktimës Ziver Veizi. Ekpserti i përzgjedhur nga prokuroria mohoi në mënyrë kategorike që dy mbetjet e drunjta kanë udhëtuar bashkë me predhën që i mori jetën Ziver Veizit. Ndërsa eksperti tjetër nuk përjashtoi mundësinë se Veizi ishte vrarë me rikoshetë sikundër pretendoi mbrojtja.
Kjo ishte seanca përmbyllëse e një procesi që zgjati për më shumë se 9 muaj. Pavarësisht 39 seancave, dhe dy vjet pas tragjedisë, mbetet ende e paqartë nëse Ziver Veizi u vra nga një plumb rikoshetë, apo u qëllua drejtpërdrejtë siç akuzon prokuroria. Përgjigja i mbetet gjykatës.
Të pandehur
Ndrea Prendi, akuzuar për “vrasje me dashje, të kryer në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave,” me pasojë vdekjen e shtetasit Faik Myrtaj, si dhe plagosjen e disa shtetasve të tjerë.
Agim Llupo, akuzuar për “vrasje me dashje të kryer në rrethana të tjera cilësuese, e kryer kundër dy, ose më shumë personave”, me pasojë vdekjen e shtetasve Hekuran Deda e Ziver Veizaj, si dhe plagosjen e shtetasve Fatos Mahmutaj, Erald Bisha, Sokrat Gode.
Margarit Kume, akuzuar për “veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Viktimat
Ziver Veizi, u vra para derës së kryeministrisë, për vrasjen akuzohet gardisti Agim Llupo
Hekuran Deda, u qëllua në një platformë të medias, ku u plagos edhe një gazetar, i akuzuar Agim Llupo.
Faik Myrtaj, u qëllua poshtë godinës së Kuvendit, për vrasjen akuzohet gjeneral Ndrea Prendi.
Aleks Nika, vrasja e pazbardhur dhe pa autorë të akuzuar
Të plagosur me armë zjarri
Fatos Mahmutaj
Erald Bisha
Sokrat Gode
Artes Dybeli
Proceset paralele për 21 janarin
Për ngjarjet e 21 janarit prokuroria nisi hetimet edhe ndaj tre deputetëve të Partisë Socialiste, por akuza ndaj tyre u pushua nga amnistia që parlamenti shpalli më 28 nëntor të vitit të shkuar. Nën akuzë u vu edhe punonjësi i IT-ja pranë Këshillit të Ministrave, që akuzohej për fshirje të pamjeve filmike nga serveri i kryeministrisë, por u shpall i pafajshëm.
Përplasjet prokurori-gjykatë për Ndrea Prendin
25 janar 2012 Gjykata e Tiranës rrëzoi prokurorinë duke caktuar masën e sigurisë “arrest shtëpie” ndaj gjeneralit Ndrea Prendi, i akuzuar për vrasjen e shtetasit Faik Myrtaj. Raporti i FBI-së u vlerësua si i ligjshëm nga gjykata, por mungonte prova që tregonte se arma e përdorur në vrasje ishte e Prendit.
3 shkurt 2012 Prokuroria e Tiranës i kërkoi sërish Gjykatës masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj komandantit të Gardës Ndrea Prendi, duke argumentuar se kishte siguruar prova të reja. Prokuroria paraqiti në Gjykatë fletëdaljen e armës me të cilën ishte kryer vrasja, por gjykata nuk e pranoi kërkesën.
8 shkurt 2012 Gjykata e Apelit miratoi masën e sigurisë “arrest shtëpie” për ish-kreun e Gardës, Ndrea Prendi. Në seancë prokuroria rikërkoi caktimin e masës “arrest me burg”, por pa paraqitur provat e reja, që sipas përfaqësuesit të akuzës disponoheshin tashmë.
22 shkurt 2012 Gjykata e Apelit rrëzoi për herë të katërt prokurorinë për arrestin e ish-komandantit të Gardës së Republikës. Në këtë seancë përfaqësuesi i akuzës depozitoi ndër të tjera edhe fletë-daljen e armës, por kjo kërkesë u rrëzua sërish nga Apeli.
Your email address will not be published.
Dhunoi prindërit e policit, pranga 50-vjeçarit
Aksidenti fatal, maunia përplas furgonin, 4 të vdekur
Emërimi i magjistratëve, debate në KLD, Naço braktis mbledhjen
“Panairi i Midhjes” dhe bllokada e heshtur e tregut europian
Amullia me ndihmën ekonomike në Ksamil, bllokohen pagesat për të varfërit
Kjo faqe interneti u realizua me mbështetjen e popullit amerikan, përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), në kuadër të Programit për Forcimin e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri (JuST). Shoqata e Gazetarëve për Drejtësi (SHGD) mban përgjegjësi të plotë për brendinë e kësaj faqeje, e cila nuk përfaqëson domosdoshmërisht pikëpamjet e USAID-it apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara. © 2014, Të gjitha të drejtat janë të rezervuara nga Shoqata e Gazetarëve për Drejtësi - SHGD