Zbardhet draft-rregullorja e hartuar nga rektori i Universitetit të Mjekësisë që pritet të miratohet në Senat: Ata që kapen me kopje në provime ose thyejnë rregullat etike do të përjashtohen nga shkolla, ç’regjistrim nga universiteti për ata që kryejnë akte rrugaçërie
Nga Jonida Tashi
Studentët e Universitetit të Mjekësisë në Tiranë do ta kenë thuajse të pamundur të zhvillojnë protesta apo aktivitete të tjera jashtëmësimore pa miratimin e rektorit të këtij institucioni. Gjithçka ligjërohet në rregulloren e hartuar nga vetë rektori i Universitetit të Mjekësisë, Ali Refatllari, e cila pritet të miratohet nga Senati Akademik i Universitetit e më pas edhe nga Ministria e Arsimit. Nëpërmjet rregullores së re studentëve iu pengohet e drejta e protestave, pasi leja për zhvillimin e tyre duhet të marrë miratimin nga rektori Ali Refatllari, në të kundërt, të rinjtë nuk do të kenë asnjë mundësi për të ngritur zërin lidhur me problemet që shoqërojnë mbarëvajtjen e procesit mësimor.
Investigim.al disponon draft-rregulloren e re të Universitetit të Mjekësisë, ku sqarohet se çfarë rruge do duhet të ndjekin studentët për të realizuar një protestë apo aktivitete të tjera. “Studentët kryejnë veprimtari jashtëmësimore me karakter kulturor, shkencor, sportiv e zbavitës, në vende, kohë dhe përmbajtje të lejueshme. Veprimtari të tilla nga studentët e një fakulteti në ambjentet e fakultetit mund të kryhen vetëm me lejen e autoritetit drejtues përkatës, ndërsa në nivel universiteti me leje të rektorit. Aktivitete me karakter demonstrativ ose proteste lejohen vetëm me leje nga rektori, me kërkesë të shoqatave të tyre, të njohura ligjërisht, pasi të jetë marrë mendimi i Këshillit të Studentëve të UMT”, thuhet në nenin 83 të draft-rregullores.
Fakulteti i Mjekësisë
Draft Rregullore e Univeristetit të Mjeksisë Studentët e konsiderojnë të padrejtë këtë vendim të rektorit për t’iu mohuar të drejtën e protestës në demokraci. “Kjo nuk është gjë tjetër veçse diktaturë për studentët. Ne e dimë shumë mirë që me këtë rregullore nuk do të na lejojnë të ngrihemi në protesta për problemet tona. Së pari, kërkesa jonë për protesta nuk do të merret në konsideratë që nga përfaqësuesit tanë në Senatin Akademik, ku janë dy studentë në vitin e fundit të studimeve, të cilëve iu ka mbaruar edhe mandati për të na përfaqësuar dhe zgjedhjet e reja për këshillat studentorë në Universitetin e Mjekësisë nuk po zhvillohen”, pohon një student i Fakultetit të Mjekësisë.
Përpos ndalimit të protestave, në rregullore janë parashikuar edhe masa të ashpra ndëshkuese për studentët që thyejnë rregullat e etikës në shkollë që shkojnë deri në përjashtim nga shkolla. Sipas rregullores, studentët që kryejnë akte rrugaçërie në ambientet e fakulteteve apo gjatë procesit mësimor rrezikojnë të ç’regjistrohen nga universiteti. “Shkelje të rregullave konsiderohen të gjitha veprimet e kryera nga ana e studentit që cënojnë personalitetin e të tjerëve, rregullat dhe normat etiko-morale të shoqërisë, si: kopjimi në provime, falsifikimi i dokumenteve të ndryshme, aktet e rrugaçërisë, të vjedhjes etj., kur këto veprime nuk bartin elementë të veprës penale.Për veprimet e mësipërme, të kryera gjatë vitit akademik, përfshirë edhe intervalin me vitin e mëparshëm merren këto masa disiplinore: këshillim me shkrim; vërejtje me shkrim; pezullim nga shkolla për atë vit akademik; ç’regjistrim nga Universiteti i Mjekësisë, Tiranë”, përcaktohet në draft-rregullore. Kundër vendimit të rektorit për ç’regjistrim nga fakulteti studenti ka të drejtë të ankohet në gjykatë, ndërkohë që masat disiplinore do të shënohen edhe në regjistrin e studentëve. Disa prej anëtarëve të Senatit Akademik e kanë cilësuar të padrejtë rregulloren e rektorit, që sipas tyre jo vetëm vendos diktaturën, por i trajton si leckë studentët. Në Universitetin e Mjekësisë vazhdojnë studimet e larta mbi 8 mijë studentë.
Bazuar në masat disiplinore për kopje, sipas rregullores, gjatë kohës së zhvillimit të provimit studentët nuk do të lejohen të përdorin çfarëdolloj pajisje elektronike. Rregullorja ka të detajuar edhe detyrimet që duhet të përmbushin studentët për të kaluar në vitin pasardhës, ku në dispozicion të tyre do të jenë katër sezonetë rregullta të vitit akademik: sezonin e dimrit, pranverës, verës, dhe vjeshtës. “Statusi i studentëve (kalues ose përsëritës) përcaktohet me përfundimin e sezonit të vjeshtës.Pas përfundimit të sezonit të vjeshtës dhe para fillimit të vitit akademik, sekretaritë mësimore hartojnë listat përfundimtare të studentëve që frekuentojnë vitin pasues dhe ia bëjnë të njohur zyrtarisht fakulteteve dhe departamenteve.Studenti i vlerësuar përsëritës ka të drejtë të riprovohet në sezonet e provimeve duke përfshirë si lëndët e vitit në vijim ashtu dhe ato të mbartura nga vite të mëparshme.Studenti i vlerësuar përsëritës ka të drejtë të paraqitet në provim në vitin pasardhës, deri në dy herë për provimet e mbartura: një herë në njërin nga sezonet e provimeve sipas përkatësisë së lëndës që mbart dhe herën e dytë lejohet vetëm në sezonin e riprovimit”, thuhet në nenin 47 të rregullores.
Kalimi i studentëve në vitin pasardhës do të bëhet në bazë të krediteve që ata do të arrijnë të grumbullojnë gjatë vitit që ndjekin. “Studenti kalon nga viti i parë në vitin e dytë, kur ka siguruar të paktën 30 kredite të vitit të parë. Studenti kalon nga viti i dytë në vitin e tretë, kur ka siguruar të paktën 60 kredite nga viti i parë dhe i dytë.Studenti kalon nga viti i tretë në vitin katërt, kur ka siguruar të paktën 120 kredite.Studenti kalon nga viti i katërt në vitin e pestë, kur ka siguruar të paktën 180 kredite.Studenti kalon nga viti i pestë në vitin e gjashtë, kur ka siguruar të paktën 240 kredite. Studenti nuk mund të hyjë në provim në lëndën e vitit pasardhës pa shlyer lëndët me kusht të viteve paraardhëse të përcaktuara në planin mësimor përkatës. Studenti lejohet të hyjë në mbrojtjen e diplomës, pasi ka fituar të gjitha kreditet e parashikuara në programin mësimor, dhe ka plotësuar të gjithë detyrimet e tjera që rrjedhin nga legjislacioni në fuqi dhe rregulloret e fakulteteve përkatëse”, thuhet në në nenin 53 të rregullores. Aktualisht studentët e fakulteteve të Universitetit Mjekësor i kanë dhënë fund provimeve në sezonin e vjeshtës, ndërkohë që një pjesë e tyre kërkojnë që para nisjes së vitit të ri akademik t’u jepet edhe një shans tjetër siç është vepruar gjatë viteve të mëparshme duke çelur një sezon shtesë.
Pjesë nga Draft-Rregullorja
Neni 81
Organizimet studentore
Këshillat e studentëve janë organizime të pavarura të studentëve në Universitet, të cilat nuk zhvillojnë veprimtari politike dhe ekonomike. Këta këshilla promovojnë pjesëmarrjen e studentëve dhe koordinojnë përfaqësimin e tyre në organet drejtuese të Universitetit, në strukturat mësimore-kërkimore dhe të shërbimeve.
Këshillat e studentëve zgjidhen çdo dy vjet nga votat e studentëve në semestrin e dytë të çdo viti akademik dhe mbështeten në legjislacionin në fuqi.
Këshillat e studentëve organizohen në nivel fakulteti/instituti (këshilli i studentëve të fakultetit/institutit), në nivel universiteti (këshilli i studentëve të UMT) dhe në nivel kombëtar (Këshilli Kombëtar i Studentëve).
Këshillat e studentëve nuk mund të organizohen me struktura të tjera politike e jopolitike, jashtë institucioneve përkatëse të arsimit të lartë.
Modalitetet dhe procedurat për krijimin, organizimin dhe funksionimin e tyre përcaktohen në statutin dhe rregulloren e tyre, në përputhje me Ligjin për Arsimin e Lartë, Statutin dhe këtë
Neni 83
Veprimtaria jashtëmësimore
Studentët kryejnë veprimtari jashtëmësimore me karakter kulturor, shkencor, sportiv e zbavitës, në vende, kohë dhe përmbajtje të lejueshme.
Veprimtari të tilla nga studentët e një fakulteti në ambjentet e fakultetit mund të kryhen vetëm me lejen e autoritetit drejtues përkatës, ndërsa në nivel universiteti me leje të Rektorit.
Aktivitete me karakter demonstrativ ose proteste lejohen vetëm me leje nga Rektori, me kërkesë të shoqatave të tyre, të njohura ligjërisht, pasi të jetë marrë mendimi i Këshillit të Studentëve të UMT.
Neni 84
Kuptimi i shkeljeve displinore
Shkelje të rregullave konsiderohen të gjitha veprimet e kryera nga ana e studentit që cënojnë personalitetin e të tjerëve, rregullat dhe normat etiko-morale të shoqërisë si: kopjimi në provime, falsifikimi i dokumenteve të ndryshme, aktet e rrugaçërisë, të vjedhjes etj. kur këto veprime nuk bartin elementë të veprës penale.
Neni 85
Llojet e masave disiplinore
Për veprimet e mësipërme, të kryera gjatë vitit akademik, përfshirë edhe intervalin me vitin e mëparshëm merren këto masa disiplinore:
Masa disiplinore “këshillim me shkrim” bëhet nga mbrojtësi i studentëve.
Masat disiplinore “vërejtje me shkrim”, “pezullim nga shkolla për vitin akademik” dhe “ç’regjistrimi nga UMT” bëhet me vendim të dekanit/drejtorit.
Kundër vendimit të dekanit/drejtorit për ç’regjistrim, studenti ka të drejtë të ankohet tek Rektori.
Kundër vendimit të Rektorit për ç’regjistrim, studenti mund të ankohet në gjykatë.
Masat disiplinore pasqyrohen në regjistrin e studentëve.
Studenti konsiderohet i rehabilituar, nëse nuk bën shkelje tjetër me kalimin e një muaji për këshillimin, brenda tre muajve për vërejtjen dhe një viti për pezullimin.
Neni 86
Kriteret e marrjes së masës disiplinore
Masa disiplinore merret pasi bëhen verifikimet e nevojshme për shkeljen, dëgjohet vetë studenti dhe merret mendimi i Këshillit të Studentëve.
Lloji i masës caktohet sipas shkallës së shkeljes, nëse ajo është e përsëritur dhe qëndrimit që mbahet ndaj veprimit të kryer.
Si rregull, masat disiplinore merren sipas radhës së mësipërme përveç kur çmohet ndryshe.
Pershendetje ! e njejta situate vazhdon te jete,studentet jane te shkelur dhe te neperkembur ne ate fakultet qe per te ardhur keq eshte kthyer ne nje vend parkimi per makina luksoze dhe njerez arrogante prapa zyrave. studenti nuk i jepet e drejta e provimit,fakulteti eshte kthyer ne nje pazar notash i felliqur.
Your email address will not be published.
Drejtësia nën akuzë: Po lirohen “kriminelë”
Skema “Karusel”, si u vodhën 5.1 milion dollarë nga TVSH-ja
Korrupsioni në burg, ish-drejtori paguhej 100 euro për çdo ditë leje
Strehimi i romëve rrezikon statusin e Shqipërisë
Strukturat metalike, “mbrojtëset” që marrin jetë njerëzish
Kjo faqe interneti u realizua me mbështetjen e popullit amerikan, përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), në kuadër të Programit për Forcimin e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri (JuST). Shoqata e Gazetarëve për Drejtësi (SHGD) mban përgjegjësi të plotë për brendinë e kësaj faqeje, e cila nuk përfaqëson domosdoshmërisht pikëpamjet e USAID-it apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara. © 2014, Të gjitha të drejtat janë të rezervuara nga Shoqata e Gazetarëve për Drejtësi - SHGD