Bashkia e Shkodrës, asnjë investim për ndërhyrjet në tregje. Produktet ushqimore shiten jashtë kushteve higjieno-sanitare buzë troturareve të qytetit, ku tregtarët ambulantë zënë vendet duke paguar “gjobën” te Policia Bashkiake. AKU: Situata është problematike, vetëm në qytetin e Shkodrës janë 420 subjekte të pa pajisura me leje përkatëse, ndërsa 60 të tjera nuk kanë siguri pasi i shmangen kontrolleve
Nga Elvis Nabolli
Produktet ushqimore në tregjet e qytetit të Shkodrës shiten mes baltës, pluhurit dhe papastërtive të tjera buzë trotuareve të zëna nga tregtarët. Grumbullimi i mbetjeve në afërsi të vendit të tregtimit dhe mikrobet e krijuara nga këto faktorë ashtu si dhe prejardhja e të ashtuquajturave produkte “bio” janë disa nga shkaqet me të rrezikshme për shëndetin e qytetarëve të Shkodrës. Produktet ushqimore të vendosura trotuareve vijojnë të jenë një zgjedhje permanente e blerjeve të qytetarëve në Shkodër. E gjithë kjo situatë është krijuar si pasojë e mungesës së një tregu të mirëfilltë për produktet ushqimore ku të shiten e blihen fruta- perimet etj.
Tregu i krijuar nga Bashkia e Shkodrës në Zdrale përpara shumë viteve është shembur ndërsa tregtarët e kanë të pamundur të ushtrojnë aktivitetin e tyre aty. Tregu i Zdrales u realizua me një fond prej 2 milion lekësh (të reja) të akorduara nga OXFAM dhe Bashkia Shkodër në dhjetor të vitit 2007. Ai ndodhej ngjitur me stadiumin e Shkodrës “Loro Boriçi”. Bora e rënë gjatë vitit 2009 e la qytetin pa treg të fruta-perimeve me pakicë. Reshjet e borës shembën tezgat e tregtarëve dhe mbulesën duke e shkatërruar plotësisht tregun. Tashmë tregu i inaguruar me shumë zhurmë nuk ekziston. Lidhur me ndërhyrjet e mundshme për rindërtimin e tregut të fruta-perimeve në Zdrale, burime nga Bashkia e Shkodrës kanë pohuar se një gjë e tillë nuk mund të realizohet pasi si pasojë e rikonstruksionit të stadiumit “Loro Boriçi” tregu nuk do ta ketë më vendin aty ku ndodhet.
Në lagjen “Rus” situata është ndryshe. Edhe pse tregtarët detyrohen të paguajnë taksa përballë Bashkisë së Shkodrës, kjo e fundit nuk u krijon as një kusht bashkëkohor të tregtimit. Përveç vjeljes së taksave, investimet e Bashkisë në treg janë inekzistente. Pjesa më e madhe e këtyre tregtarëve detyrohen të paguajnë çdo ditë një shumë prej 200- 500 lekësh (të reja) ndaj Policisë Bashkiake për t’i lejuar që të ushtrojnë aktivitetin e tyre. A.S është një fshatar nga zona e Kucit në Komunën e Gurit të Zi, i cili çdo ditë bën disa kilometra për të mbërritur në tregun e Zdrales. Ai thotë se me të mbërritur Policia Bashkiake duhet t’ju bësh gati 500 lekshin për të vijuar tregtimin. Edhe një tjetër tregtare thekson se kjo situatë është e përditshme, e cila edhe pse me kosto ja vlen pasi askush nga institucionet e tjera nuk i bezdis. “Ne i japim lekët Policisë Bashkiake, e pastaj s’na bezdis më kush”, shprehet Fatmira nga fshati i Postribës e cila shet në trotuarin e lagjes “Rus”. Por zyrtarët e Policisë Bashkiake mohojnë kategorikisht se punonjësit e tyre marrin rryshfet nga tregtarët. Zyra e medias pranë Bashkisë Shkodër mohon të ketë pasur gjatë këtyre viteve denoncime apo ankesa për punonjësit e Policisë Bashkiake.
Situata e tregtimit të fruta-perimeve apo dhe produkteve të tjera ushqimore si qumështi dhe nënproduktet e tij duhet të mbahet nën kontroll për të evituar përhapjen e sëmundjeve infektive. Shefi i Epidemiologjisë, Artan Mesi thotë se po ndiqet rrisku i sëmundshmërisë infektive në tregjet ambulante. “Ne ushtrojmë ndikimin tonë mbi masën e riskut përsa i përket shkallës së transmetueshmërisë së sëmundjeve infektive. Situata duhet të monitorohet. Kjo është një stinë e ftohtë e cila në vetvete nuk favorizon sëmundshmëritë infektive në tregjet ushqimore të Shkodrës, megjithatë situata mbetet delikate dhe ka nevojë për vemendje më të shtuar”, pohon epidemiologu Mesi. Nga ana tjetër, inspektori i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Hilmi Erkoci thekson se disa prej tregtarëve nuk janë të pajisur me leje për ushtrimin e aktivitetit, çka e bën të vështirë edhe kontrollin e tyre. “Jo vetëm që përbëjnë pasiguri në atë çfarë konsumojmë çdo ditë, por një pjesë e subjekteve nuk janë as të regjistruara. Vetëm në qytetin e Shkodrës janë 420 subjekte të pa pajisura me leje përkatëse, ndërsa 60 të tjera nuk kanë siguri pasi i shmangen kontrolleve”, deklaron Erkoci. Sipas tij, penalizimi i këtyre subjekteve është i pamundur pasi nuk disponojnë asnjë dokumentacion.
Dëshira dhe qëllimi për të konsumuar produkte “bio” i orienton konsumatorët shpeshherë drejt këtyre hapësirave tregtare. Kushtet mjedisore ndaj të cilave janë të ekspozuara produkte të tilla, si: djathi, gjalpi, vaji i ullirit, peshku, mishi etj. lënë për të dëshiruar. Këto kushte higjieno-sanitare janë larg kritereve të vendosura nga autoritetet rajonale. Tregu i Rusit dhe ai i Zdrales mbeten ende problematikë përsa i përket kushteve të ruajtjes së ushqimeve, të tregtimit dhe standardeve cilësore të këtyre produkteve. Garancia e ushqimeve e pohuar dhe e premtuar nga shitësit është një pikëpyetje e madhe, e cila përforcohet rrjedhimisht edhe nga mjedisi përrreth tyre. Përballë kësaj situate Bashkia e Shkodrës hesht, ndërsa shitësit ambulant vijojnë aktivitetin e tyre të përditshëm.
*Ky botim u realizua me mbështetjen e Fondacionit Soros. Mendimet dhe opinionet e shprehura në të i përkasin autorëve dhe nuk përkojnë domosdoshmërisht me qëndrimet e Fondacionit Soros
Your email address will not be published.
Kapen tetë refugjatë sirianë në Lushnjë, do shkonin në Itali
Drama e fëmijëve romë në Sarandë, braktisin shkollën nga varfëria
Alarm për bombë pranë bashkisë, rezulton fals
Qindra denoncime për korrupsion në shëndetësi, asnjë i ndëshkuar
Si vidhen automjetet në kryeqytet (Video)
Kjo faqe interneti u realizua me mbështetjen e popullit amerikan, përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), në kuadër të Programit për Forcimin e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri (JuST). Shoqata e Gazetarëve për Drejtësi (SHGD) mban përgjegjësi të plotë për brendinë e kësaj faqeje, e cila nuk përfaqëson domosdoshmërisht pikëpamjet e USAID-it apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara. © 2014, Të gjitha të drejtat janë të rezervuara nga Shoqata e Gazetarëve për Drejtësi - SHGD