Prokuroria dhe Gjykata kanë liruar nga qelia një të dyshuar për mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe prishje të qetësisë publike. Policia tha se 45-vjeçari Petrit Cungu i dha armën pa leje djalit të mitur, i cili terrorizoi lagjen me breshëri automatiku. Ekspertët thonë se prokurori dhe gjykatësi kanë shkelur ligjin me këtë masë sigurie, pasi rezulton se Cungu ishte dënuar dy herë më parë nga gjykata.
Shkruan investigim.al
Në fillim të muajit mars, Policia e Tiranës njoftoi arrestimin e një personi i cili bashkë me të birin e mitur dyshohet se kishin qëlluar me armë në lagjen e tyre, në periferi të Tiranës. Breshëritë e automatikut terrorizuan banorët e zonës, të cilët njoftuan menjëherë forcat e policisë, të cilat kryen arrestimin e shtetasit Petrit Cungu, 45 vjeç dhe djalit të tij, 12-vjeçarit K. Cungu. Por vetëm pak ditë më pas, me kërkesë të Prokurorisë Gjykata e Tiranës e liroi babain, ndërsa djali për shkak të moshës së mitur nuk u përball me gjykatën. Prokuroria dhe gjykata nuk kanë dhënë asnjë shpjegim lidhur me arsyet e lirimit të 45-vjeçarit, i cili dyshohet për akuzën e mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe prishjes së qetësisë dhe rendit publik. Sipas burimeve jo zyrtare mësohet se arsyeja e lirimit të 45-vjeçarit Cungu ka të bëjë me faktin se arma është përdorur nga djali i tij i mitur, e për pasojë nuk mund të merrej masë e rëndë sigurimi për babain e tij.
Gjykata e Shkallës së Parë, Tiranë
Por arsyetim i prokurorisë dhe gjykatës që investigim.al e ka mësuar nga burime jo zyrtare hidhet poshtë nga ekspertët, të cilët thonë se në këto raste ligji është i qartë jo vetëm sa i takon dënimit që parashikohet për këto akuza, por edhe për masën e sigurisë që gjykata duhet të jepte. Pavarësisht këtij fakti, 45-vjeçari sot është i lirë edhe pse në të shkuarën e tij ka precedentë të tjerë penal. Sipas të dhënave zyrtare të policisë rezulton se ngjarja për të cilën u arrestua shtetasi Petrit Cungu ka ndodhur në datën 1 mars 2014 në rrugën “Njazi Meka” në Tiranë. Atë mesditë, banorët e kësaj lagje që ndodhet në afërsi të shkollës “Bajram Curri” në Tiranë, u tronditën nga të shtënat e automatikut që vinin prej duarve e 12-vjeçarit, K.Cungu. Banorët i thanë policisë se ishte 45-vjeçari Petrit Cungu, i cili, pasi zbriti nga një makinë, ia kaloi armën të birit dhe ky i fundit filloi të qëllojë pa ndonjë objektiv të caktuar. “I mituri qëlloi drejt, por për fat të mirë plumbat nuk prekën askënd”, tha një banor i zonës, dëshmitar në ngjarje.
Sipas burimeve të informacionit që disponon investigimi.al, ata u arrestuan në flagrancë nga patrulla e përgjithshme e policisë dhe u shoqëruan për në Komisariatin nr. 4, ndërkohë dy pallate më tutje u sekuestrua edhe arma e krimit, një automatik tipit “AK-47”, apo i njohur ndryshe si kallashnikov, të cilin i arrestuari e mbante pa leje. Por vetëm dy ditë më pas, më 3 mars të këtij viti, Gjykata e Tiranës caktoi ndaj të arrestuarit masën e sigurisë “detyrim për paraqitje” pranë organeve të policisë gjyqësore. Një kërkesë e tillë erdhi nga prokuroria, e cila në bazë të provave nuk kishte krijuar bindjen e nevojshme se arma ishte e 45-vjeçarit Cungu. Ata janë liruar rreth orës 02:30 të mëngjesit nga paraburgimi i Komisariatit nr.4 në Tiranë. Investigimi.al u interesua pranë Prokurorisë së Tiranës për çështjen e Petrit Cungut dhe djalit të tij minoren me inicialet K. Cungu dhe nëpërmjet burimeve jo zyrtare mësoi se ndaj këtij shtetasi ishte dhënë masa e sigurisë “detyrim për paraqitje” pranë oficerit të Policisë Gjyqësore.
Por ky nuk është rasti i vetëm kur 45-vjeçari Petrit Cungu ka pasur probleme me policinë apo me drejtësinë. Sipas një kërkimi të bërë në
Faksimile e denimit te pare qe Gjykata e Tiranes ka dhene ndaj shtetasit Petrit Cungu
Gjykatën e Tiranës, rezulton se ky person ka qenë i dënuar dy herë nga kjo gjykatë për vepra të ndryshme penale. Në vitin 2007, Cungu është dënuar për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen. Ngjarja ka ndodhur në datën 8.12.2007, rreth orëve të mesditës, kur Cungu ka qenë duke drejtuar një automjet tip “Benz” , me të cilin ishte duke lëvizur në drejtim të rrugës së “Durrësit” në kryeqytet pranë pallatit të sportit “Asllan Rusi”. Pikërisht në vendin e sipërcituar, i pandehuri ka aksidentuar për vdekje shtetasin A. S. 72 vjeç, i cili ka qenë duke kaluar rrugën në vijat e këmbësorëve. Gjykata vendosi deklarimin fajtor të të pandehurit Petrit Dedë Cungu, për kryerjen e veprës penale të “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor” si dhe “drejtimit të automjetit në gjendje të dehur apo pa dëshmi”, duke e dënuar për këto dy vepra penale me 1 vit burg.
Dënimi i dytë për shtetasin Petrit Cungu është dhënë nga Gjykata e Tiranës në vitin 2009, pasi dyshohej se kishte kryer veprime që pengonin zbulimin e një vjedhje të kryer nga djali i tij Markeljan Cungu. Prokuroria e akuzoi Cungun në vitin 2009 për kryerjen e “veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, parashikuar nga neni 301 i Kodit Penal. Djali tjetër i tij Markeljan Cungu kreu një vjedhje, ndërsa i ati Petrit Cungu e mbështeti për këtë akt duke kryer një sërë veprimesh. Për këtë gjykata vendosi “Deklarimin fajtor të të pandehurit Petrit Cungu për veprën penale të ‘veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës’”, parashikuar nga neni 301 i Kodit Penal, dhe dënimin e tij me 8 muaj burgim. Por, pavarësisht dy dënimeve të mësipërme, prokuroria dhe gjykata vendosën ta lënë të lirë të dyshuarin, që sipas policisë, ka qëlluar me breshëri automatiku në lagjen ku banon.
Për këtë çështje investigim.al kontaktoi një avokat penalist, i cili thotë se në këto raste ligji është mjaft i qartë. Avokati Zaçe Islami shprehet se vepra penale e kryer nga i dyshuari dënohet me burgim në rast se provohet se ai është autori, çka do të thotë se prokuroria dhe gjykata duhet të kishin marrë një masë më të ashpër sigurimi. “Sipas Kodit Penal, mbi të rëndojnë akuzat e lejimit të përdorimit të armëve të zjarrit një minoreni si dhe kemi të bëjmë me prishje të qetësisë publike. Në vetvete përbën vepër penale, duke marrë në konsideratë edhe kushtet e shkrehjes së armës, Kodi Penal për këtë vepër parashikon dënim deri në 2 vite burg. Rasti në fjalë mund të shqyrtohet më me kujdes, pasi në këto kushte kemi të bëjmë me vepra të përsëritura të autorit”, shprehet avokati Zaçe Islami. Dhe ky fakt provohet fare mirë në dy vendimet që Gjykata e Tiranës ka dhënë ndaj këtij të dyshuari.
Avokat Zaçe Islami
Sipas vendimit të gjykatës që investigimi.al disponon, rezulton se shtetasi Petrit Cungu ka kryer veprime aktive për të mbuluar vjedhjen e kryer nga djali i tij, i cili njihet nga policia si një prej personave të skeduar në fushën e vjedhjeve, veprimtari të cilën e ka nisur që në moshë të mitur. Lidhur me këtë fakt, avokati Islami thotë se prokuroria e gjykata kanë gabuar me masën e sigurisë që kanë caktuar ndaj këtij personi, aq më tepër që ai rezulton të jetë dënuar dy herë nga gjykata.
“Nëse është vepër penale e një cilësie jo të rrezikshme për s
hoqërinë, jepet masa e sigurisë detyrim paraqitjeje. Por për një vepër penale të tillë, Kodi Penal është i qartë, pa ekuivokë dhe nuk të lejon t’i shmangesh dhënies së masës së sigurisë ‘arrest me burg’. Madje nëse personi në fjalë del fajtor, atëherë gjykata duhet t’i dyfishojë dënimin personit për shkak se është përsëritës i dy veprave penale. Pra, në asnjë mënyrë prokuroria nuk mund të hetojë një eksponent kriminal në gjendje të lirë, por personi në fjalë duhet të mbahet në paraburgim deri sa të përfundojnë hetimet. Pra, minimalisht mund të vendoset masa e sigurisë ‘arrest me burg’ nga ana e prokurorisë”, shprehet avokati. I pyetur mbi masat që duhet të merrte prokuroria dhe gjykata në këtë rast, avokat Islami thotë se të dy institucionet, si prokuroria dhe gjykata kanë shkelur ligjin duke kërkuar dhe marrë një vendim të tillë. “Konkretisht, prokurori ka shkelur ligjin, por kjo shqyrtohet nga gjykata dhe nëse kjo e fundit vendos se ka shkelje, atëherë parashikohet gjobë dhe burgim deri në një afat që vetë gjykata mund ta përcaktojë. Në përgjithësi gjykata analizon kushtet në të cilat është bërë shkelja dhe nëse kemi të bëjmë me shfrytëzim posti nga ana e prokurorit”, përfundon avokat Islami.
Shifrat zyrtare të Prokurorisë rreth masave të kërkuara në Gjykatë për të arrestuarit me armë pa leje
Lidhur me të shkuarën e 45-vjeçarit Petrit Cungu në raport me drejtësinë, investigim.al iu drejtua me një kërkesë zyrtare Gjykatës së Tiranës, por pavarësisht se ka kaluar afati ligjor prej 30 ditësh, ende nuk ka marrë një përgjigje nga kjo gjykatë. Ky është rasti i dytë brenda pak kohësh, kur investigim.al denoncon skandale në sistemin e drejtësisë lidhur me lirimin e personave të arrestuar me armë pa leje. Vetëm pak kohë më parë, nëpërmjet dokumenteve u denoncua lirimi nga qelia i një personi të arrestuar me një armë automatike të cilën e mbante pa leje në depon e administruar prej tij. Fatos Velo, banor i qytetit të Tiranës ishte denoncuar nga fqinjët e tij për prishje të rendit dhe sigurisë publike, pasi herë pas here ai qëllonte me breshëri automatiku. Uniformat blu vepruan shpejt dhe kryen arrestimin e të dyshuarit më 14 dhjetor të vitit 2013, jo vetëm se fqinjët e tij ishin të terrorizuar nga breshëritë e automatikut, por edhe për faktin se për këtë vepër penale ligji parashikon dënim të rreptë.
Por tre ditë pas arrestimit, prokuroria i kërkoi gjykatës lirimin e të dyshuarit, pasi nuk ishte e bindur se arma i përkiste të arrestuarit. Prokuroria argumentoi se ishte në pritje të ekspertimit të armës për të parë nëse në të kishte gjurmë të të dyshuarit, pasi arma ishte gjetur në një ambient të përbashkët. Në fakt, policia kishte argumentuar të kundërtën e pretendimit të prokurorisë, madje kishte mundur ta provonte këtë gjë. Por dy rastet e mësipërme nuk janë të vetmet kur prokuroria kërkon lirimin e të arrestuarve me armë pa leje, edhe pse ndryshimet në Kodin Penal parashikojnë një dënim nga 7 deri në 15 vite burg për këtë vepër penale. Sipas statistikave zyrtare rezulton se për vitin 2013, prokluroria i ka kërkuar gjykatës masën e sigurisë “detyrim për paraqitje” për të paktën 9 persona të arrestuar me armë pa leje në qytetin e Tiranës.
Your email address will not be published.
Drama e fëmijëve romë në Sarandë, braktisin shkollën nga varfëria
Nis sistemimi i romëve, largohen nga rruga 37 familje
KQZ: Zgjedhjet e qershorit kushtojnë mbi 7 milionë dollarë
Ina Rama: Nuk kam plane politike, do kthehem në gjyqësor
Si vidhet në restorantet e Tiranës, viktima edhe të huajt (Video Ekskluzive)
Kjo faqe interneti u realizua me mbështetjen e popullit amerikan, përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), në kuadër të Programit për Forcimin e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri (JuST). Shoqata e Gazetarëve për Drejtësi (SHGD) mban përgjegjësi të plotë për brendinë e kësaj faqeje, e cila nuk përfaqëson domosdoshmërisht pikëpamjet e USAID-it apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara. © 2014, Të gjitha të drejtat janë të rezervuara nga Shoqata e Gazetarëve për Drejtësi - SHGD