Si i rrit shteti jetimët, historia e 10-vjeçares së dhunuar Reviewed by Momizat on . Nga Endrit Keraj dhe Telnis Skuqi -  10-vjeçarja jetime Aurela K, nuk do ta besonte kurrë historinë e babagjyshit të Vitit të Ri, nëqoftëse ajo do ta vazhdonte Nga Endrit Keraj dhe Telnis Skuqi -  10-vjeçarja jetime Aurela K, nuk do ta besonte kurrë historinë e babagjyshit të Vitit të Ri, nëqoftëse ajo do ta vazhdonte Rating: 0
You Are Here: Home » Edukimi » Si i rrit shteti jetimët, historia e 10-vjeçares së dhunuar

Si i rrit shteti jetimët, historia e 10-vjeçares së dhunuar

Si i rrit shteti jetimët, historia e 10-vjeçares së dhunuar

Nga Endrit Keraj dhe Telnis Skuqi - 

10-vjeçarja jetime Aurela K, nuk do ta besonte kurrë historinë e babagjyshit të Vitit të Ri, nëqoftëse ajo do ta vazhdonte të përjetonte ndërrimin e viteve në Shtëpinë e Fëmijës Sarandë. Afro një javë më parë, kolegia Kristina Fithi na tregoi historin e Aurelës. Ajo është braktisur qysh 3 vjeçe nga prindërit. Babai u martua me një tjetër, ndërsa nëna iku pa lënë gjurmë. Shërbimi Sociale e mori nën kujdestari, ndërsa prej pesë vitesh jeton pranë Shtëpisë së Fëmijës Sarandë. Aurela shkelqen në mësime, ka pasion muzikën, por si çdo fëmijë jetim ndjen mungesën e ngrohtësisë prindërore.

“E kam njohur një pëllëmb, në vitin 2007, ende pa filluar shkollën. Ata ditë po shoqëroja një fotoreportere amerikane, e cila grumbullonte foto në kërkim të personazheve që kishin përjetuar dhunë”,- tregon Kristina, nëna e fëmije afro 11 vjeçare. Lela, ka një fytyrë ëngjëllore, por e trishtuar dhe e vetmuar nga bashkëmoshatrët. “U afrova dhe i fola. Ajo (Lela) ishte e ndrojtur, por për çudi bashkëbisedimi me ngjiti. Në fundvitin e kaluar vendosa ta marrë në shtëpi në Gjirokastër, për të përjetuar ndryshe Krishtlindjen dhe Vitin e Ri”, thotë Kristina. Gjatë qëndrimit 1-javor në shtëpinë e Kristinës, ajo vuri re që Lela nuk ishte e shoqërueshme me 35 fëmijët e tjerë që jetonin në Shtëpinë e Fëmijës.

“Ajo preferonte shoqëri vetëm me të rritur. Kjo më habiti”, thotë Kristina. Sipas saj, Lela kishte probleme psikologjike dhe nuk ishte trajtuar siç duhet nga institucioni social ku ajo jetonte. “Më kujtohet kur mori dhuratën e parë. Lela nuk e besonte babagjyshin. Ajo shkruante: ‘I dashur babagjysh. Ti mua nuk me njeh fare, por nëqoftëse ke dëshirë me sill diçka që ka të bëj me muzikën’. Kam ngelur pafjalë. Nuk është faji i saj, por e personelit e jetimoresh, të cilët kurrë nuk e kanë ushqyer vogëlushen me këtë mit si çdo fëmijë”,- thotë gazetarja.

Por ky ishte problemi më i vogël që shfaqi 10-vjeçarja, pasi herë pas here gëzohej e mërzitej në të njëjtën kohë, nuk mund të kujdesej për veten, madje nuk ishte mësuar nga edukatoret se çfarë është higjena personale.

“Nuk dua të paragjykoj punën e edukatorëve, por është e pafalshme që një fëmijë jetim të mos njoh çfarë është higjena personale. Ku e mora Lelën në shtëpi rrobat i kishte të pista dhe të pahekurosura, madje nuk ishin as rroba”,-tregon Kristina. “Ku e dorëzova pranë institucionit, vura re që Lela nuk kishte një dollap të saj. Gjërat rrëmujë kudo. Tapeti dhe lodrat nuk ekzistonin. Dhoma e saj ngjante si repart ushtarak. Me pak fjalë godina trekatëshe, mbi 50 vjeçare, ia kishte mohuar të drejtën të gëzonte fëmijërin”- rrefen gazetarja gjendjen e shtëpisë së dëmijës në Sarandë.

Kristina kujton se gjatë qëndrimit të Lelës në shtëpinë e saj, vogëlushja përjetoj disa evente familjare, por ajo vazhdimisht qëndronte e veçuar. “Pikturat e saj reflektonin gjendjen e saj shpirtërore. Ajo shkëputej nga realiteti dhe vizatonte skena horror me gjak e me koka të prerë. U tmerrova. Nuk është normale për një fëmijë. Lela nuk fliste kurrë për të ardhmen. Ishte e pasigurt për çdo gjë. Sinqerisht ndieva keqardhje”, tregon Kristina.

Adriana Kushta, Drejtoresha e  Shtepise se Femijes, Sarande

Adriana Kushta, Drejtoresha e Shtepise se Femijes, Sarande

Gjendjen e vështirë të institucionit, mungesën e kushteve për mirërritjen dhe edukimin e fëmijëve e pranon edhe Adriana Kushta, drejtoresha e shtëpisë së fëmijës në Sarandë. “Kushtet fizike të godinës janë të vështira. Fatkeqësisht mungojnë sallat e leximit, ndërsa bazat materiale po i hajnë krimbat. Më është dashur punë për të rregulluar guzhinën, me mezi instaluam një sobë gatimi pas tetë muajsh përpjekjesh”,-thotë Kushta.

Sipas saj, nga 47 fëmijë që trajtohen në këtë institucion, 34 janë rezidencial dhe 13 fëmijë ditorë, që kanë probleme familjare dhe ekonomike. “Fëmijët ditor trajtohen në bazë të një kontrate “TIP”, e lidhur me pushtetin vendor. Kjo kategori përfiton kujdestari dhe ushqime. Qëllimi është integrimi i tyre. Ata vijnë në orën 07:00 dhe ikin në orën 17:00. Fëmijët vijnë dhe largohen të shoqëruar nga prindërit”, pohon Kushta. Kjo praktikë ka nisur dy vite më parë, ndërkohë bashkia mbështet financiarisht këtë projekt. Për 34 fëmijët rezidencial situata paraqitet më problematike. Qysh ku institucioni i Shtëpisë së Fëmijës ka kaluar në administrim të Bashkisë së Sarandës, në vitin 2010, ndihet financiarisht e braktisur nga shteti.

“Në vitin 2011 fondi vjetor ishte 4.7 milione leke. Në këtë fond përfshihen të gjitha shërbimet, si ngrohja, ushqimi, shërbimi mjekësor, veshjet e të gjitha shpenzimet e tjera. Nëqoftëse bëjmë një llogaritje të thjeshtë, me 330 lekë që ka kuotën ditore një fëmijë për 365 ditë vetem për ushqim më duhet një fond më shumë se 4 milionë lekë. Po të tjerat? Shteti më heq të drejtën t’i trajtoj këta fëmijë”, pyet dhe përgjigjen Kushta, ndërsa shton se ky institucion nuk është në gjendje të siguroj higjenën, veshmbadhje dhe shërbimin mjekësor, për shkak të keqfinancimit nga buxheti i shtetit.

“Mirë që i siguroj nga donatorët. Jam bërë tmerr i tregtarëve”, thotë Kushta. Më tej, Kushta thekson se jetimët në dimër ngrohen fal ngrohtësisë së donatorëve vendas dhe të huaj, pasi shteti i ka braktisur, ndërsa bashkia pothuajse e ka dyfishuar brenda një viti fondin për ekzistencën e këtij institucioni, nga 500 mijë lekë në vitin 2012, në 900 mijë lekë në 2013. Një tjetër problem për drejtoreshën e Shtëpisë së Fëmijës është mungesa e stafit të kualifikuar. “Sot është vështirë të gjesh një njeri të padiplomuar, por kjo s’ka lidhje me realitetin. Që të punosh në një institucion të tillë duhet të kalosh në disa filtra, fatkeqësisht kjo politikë nuk aplikohet”, nënvizon Kushta.

Kushta thotë se ky institucion ka nevojë për të paktën tre psikologe dhe aktualisht kemi vetëm një vullnetare.

“Kjo psikologe pavarësisht se ka mbaruar master, paguhet si edukatore me arsim të mesëm”, specifikon Kushta, ndërsa tregon se situata përkeqësohet për këta jetim pas përfundimit të ciklin shkollorë 9-vjeçar. “Mbaj mend që përpara vitit 1990, jetimët përfitonin bursë nga shteti, ndërsa sot nuk ofrohet asgjë. Vetëm shkolla e mesme teknologjike në Vlorë, si dhe qendra private TAG në Tiranë pranon jetim”, shprehet Kushta. “Nuk ka turp më të madh. Shteti i rrit me stërmundime dhe i braktisë në moshën më delikate”, thekson Kushta. Këtë shqetësim, vijon Kushta, e ka ngritur në të gjitha institucionet përgjegjëse, por kanë heshtur.

Irena Vjerri, Psikologe e Shtepise se Jetimeve Sarande

Irena Vjerri, Psikologe e Shtepise se Jetimeve Sarande

Irena Vjerri, psikologe prej tre vitesh, thotë se të gjithë jetimët që vijnë pranë këtij institucioni kanë probleme me të kaluarën. “Pothuajse të gjithë fëmijët jetim rezidencialë ka parë braktisje, shfrytëzimin, dhunë fizike dhe seksuale nga prindërit e tyre. Fatkeqësist ata vazhdojnë t’i përjetojnë keq traumat, por fatmirësisht kanë genin e mbijetësës”, -shpjegon Irena. Për të, puna ndahet në dy grupe. Grupi i parë janë fëmijët që vijnë nga befotrofi i Vlorës. “Këtu puna ime është e lehtësuar. Këta fëmijë jetim janë disi të “rehabilituar”, pasi ata vijnë me dosje dhe di si t’i “gatuaj”. Më kursejnë shumë kohë. Ndërsa grupi i dytë ka vështirësi. Ata vijnë direkt nga rruga dhe janë ekspozuar nga tramumat. Gjëja e parë që kërkojnë këta fëmijë është akomodimi dhe pastaj biseda me psikologen”, thotë Irena.

Irena ka dëgjuar shumë histori të dhimbshme, por rasti i Aurelës (Lela), i ka bërë përshtypje.

“Ajo vogëlushe është dhunuar egërsisht. Gjendja e saj pasyrohej në art. Ajo pikturonte shkronja të errëta, thonjë të gjata dhe e cilësonte nënën njerkë”, tregon Irena. Si psikologe Irena thotë se jetimët janë të zgjuar, të talentuar dhe dinë të të respketojnë dyfishtë, nëqoftëse i respekton njëherë. “Jetimët të matin kokën me spango. Dinë ku të shesin e të blejnë”, shprehet Irena, ndërsa shton se fatkeqësisht ajo punon në “ilegalitet”, nuk ka një ambjent të përshtatëshme për të punuar individualisht me fëmijët jetim.

Irena thotë se pavarësisht se ekzistojnë 13 standarde nga Shërbimi Social Shtetëror (SHSSH), detyrim ligjor, rezulton që ky institucion, tepër i rëndësishëm, nuk është në gjendje t’i plotësoj këto kushte. “Sipas standardit të SHSSH, duhet që 1 psikologe të trajtoj 10 fëmijë, në fakt ndodh e kundërta, 1 psikologe trajton 45 fëmijë. Vlerësimi psikologji, vijon Irena, bëhet një herë në vit, duke parë edhe ecurinë e fëmijës. “Nga përvoja ime mund të them se jetimët ndihen inferioritetin në shkollë dhe në shoqëri, pasi nuk janë të barabartë me të tjerët. Jetimët s’mund të shkojnë në një ekskursion apo të blejnë një akullore, pasi ata pothuajse nuk shikojnë kurrë lekë me sy”, nënvizon Irena.

Ilir Çumani, drejtori i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë (IKIJSH), e vlerëson shqetësuese situatën e jetimëve në Shqipëri. “Nga 700 mijë shqiptarë që kanë nevojë për asistencë, 184 mijë janë fëmijë, prej të cilëve 31 mijë janë fëmijë jetimë. Mbi 2/3 e kësaj moshe përballen me ekstremin e përpjekjeve raskapitëse për mbijetesën, por më të prekurit nga ky ekstrem varfërie e përpjekjesh mbeten fëmijët jetimë”, shprehet Çumani. Sipas tij, vetëm një pjesë shumë e vogël e tyre marrin asistencë sociale.

ILIR Çumani, Drejtor i  IKIJSH

ILIR Çumani, Drejtor i IKIJSH

“Asistenca sociale që garantohet nga shteti mbulon vetëm 5% të nevojave minimale të jetës së tyre. Nga 31 mijë jetimë në rang vendi, 400 fëmijë trajtohen në 9 qendra rezidenciale shtetërore, ndërsa 360 të tjerë në 16 qendra joqeveritare (OJF)”, thekson Çumani, ndërsa nënvizion se shumë jetim që kanë mbaruar shkollën e mesme ndodhen të strehuar qindra të rinjë jetimë, të papunë, në kushtet e getove. “Në këto mjedise mizerabël, atyre nuk u sigurohet as minimumi jetik dhe s´kanë asnjë shpresë për të ardhmen e tyre. Të mbetur dyfish jetimë, në gjendje mjerane e në mëshirën e fatit, këta të rinj sot janë kontingjenti më vulnerabël dhe më i margjinalizuar i shoqërisë shqiptare”, thotë Çumani.

Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, vijon Çumani, ka insistuar vazhdimisht që shteti dhe politika të jenë më të ndjeshëm ndaj kësaj situate. “Instituti ka insistuar prej kohësh që strukturat e pushtetit lokal, në procesin e decentralizimit të shërbimeve sociale, t’i kenë të gjitha tagrat dhe instrumentet ligjore të nevojshme për të vepruar në përmirësimin e kushteve sociale të jetimëve. Vazhdimish kemi ngritur zërin që të bashkëpunohet midis qeverisë dhe operatorëve të shoqërisë për parandalimin e krimit kundër jetës, mbasi vrasjet me vetgjyqësi në këto 21 vjet kanë lënë 1400 fëmijë jetimë, por qeveria shqiptare e ka injoruar këtë zë”, shprehet Çumani, ndërsa saktëson se afro 600 fëmijë jetimë të policëve të rënë në detyrë, nuk e kanë ndjerë realisht dorën e ngrohtë të shtetit, si një obligim moral dhe shenjë respekti edhe për 350 baballarët e tyre “Dëshmorë të Atdheut”.

“Deputetët shqiptarë e kanë amenduar 40 herë ligjin mbi “Statusin e deputetit”, që u siguron mbështetje dhe mirëqenje familjeve të tyre, ndërsa ligji për “Statusin e Jetimit”, nuk është amenduar asnjëherë, duke e lënë kuotën për jetesën e një jetimi vetëm 28 dollarë në muaj, si në fillim të tranzicionit, kur kostoja aktuale minimale e një individi në Shqipëri është 400 dollarë në muaj”, shton Çumani. Më tej, Çumani nënvizon se jetimëve shqiptarë u është mohuar e drejta e strehimit, e punësimit, e asistencës shëndetësore dhe shumë të drejta të tjera, të cilat i kanë pozicionuar si shtresa më e margjinalizuar dhe më e pashpresë e shoqërisë.

“Jetimët kanë nevojë për dinjitet dhe strehim. Sipas statistikave zyrtare, në periudhën 1996-2011, vetëm 29 nga 1150 persona me status jetimi kanë përfituar banesë sipas dispozitave ligjore. Njeriu ka nevojë për më tepër se një copë bukë, ka nevojë të jetojë me dinjitet. Jetimi mund të ketë dinjitet vetëm nëse ka një shtëpi”, thekson Çumani.

Burime zyrtare nga Shërbimi Social Shtetëror (SHSSH), shprehet se ky institucion, sëbashku me 12 zyrat rajonale në varësi të tij, monitoron me përgjegjësi të plotë të gjitha qendrat ku jetojnë dhe trajtohen fëmijët jetimë, në mënyrë që ata të ndihen mirë dhe të vlerësuar nga shteti e shoqëria, pasi kujdesi për fëmijët në përgjithësi dhe për fëmijët jetimë në veçanti mbetet prioritet. “Asnjë kujdes shtetëror, sado i përsosur të jetë, nuk mund të zevendësojë kujdesin e shoqërisë dhe ndihmën e donatorëve. Ofrimi i ndihmave materiale dhe financiare, është një rast i mirë që shoqëria jonë të tregoj në dimensionin e saj të vërtetë, profilin e perfeksionuar social”, thuhen në komunikatën e SHSSH.

I njëjti burim thekson se “Statusit të Jetimit”, që është miratuar në vitin 1996, e përfitojnë persona nga 0-25 vjeç, që kanë lindur jashtë martesës apo janë braktisur, që nuk kanë gjallë asnjërin nga prindërit apo persona që me vendim të formës së prerëtë të gjykatës u është hequr e drejta prindërore e të dy prindërve ose u është hequr e drejta prindërore e njerit prind dhe prindi tjetër nuk jeton; “Ligji parashikon që “Statusin e Jetimit” mund ta përfitojnë edhe persona mbi 25 vjeç, vetëm për efekt të strehimit”, nënvizon SHSSH-ja.

SHSSH saktëson se në rang vendi ekzistojnë 9 institucione publike rezidenciale që ofrojnë shërbime për 226 fëmijë jetim në qarkun Tiranë, Vlorë, Shkodër, Durrës dhe Korçë, 18 institucione jo publike rezidenciale (OJF) ofrojnë shërbime për 416 fëmijë, 3 institucione publike ofrojnë shërbime ditore për 75 fëmijë, ndërsa 22 qendra ditore nga OJF-të ofrojnë shërbime ditore për rreth 1500 fëmijë. “Në këto institucione publike dhe jo publike për fëmijët jetim ofrohet ushqim, veshmbathje, akomodim, shërbime psiko-sociale, shëndetësore dhe edukuese”, nënvizon SHSSH-ja.

2 comments on “Si i rrit shteti jetimët, historia e 10-vjeçares së dhunuar

  1. Irena Vjeri on said:

    Përshëndetje Z. Telnis,

    Po shkruaj për tju korrigjuar disa prej pikave të artikullit të mësipërm, të cilat ose qëllimisht janë “keqkuptuar” prej jush gjatë marrjes së informacionit, ose janë tjetërsuar në shkrim.

    Së pari, në pjesën:
    Unë jam vendosur në organikë si specialiste edukatore në mungesë të pozicionit të psikologes, dhe paguhem ashtu sikurse jam, me arsim të lartë. Jam paguar gjatë dy viteve të para si me arsim të mesëm, kur kam qenë në pozicionin e kujdestares, por kjo gjë tashmë ka ndryshuar.

    Së dyti, në paragrafin
    Shprehimisht unë citova që kjo kategori fëmijësh janë më të lehtë për tu rehabilituar pasi informacioni që unë marr për ta është më i bollshëm dhe më i besueshëm, duke qenë se vijnë nga instiucione rezidenciale dhe shoqërohen me dosjen përkatëse. Në fakt, unë kohën e punës e kam në dispozicion total për fëmijët dhe kurrsesi nuk mund të shprehem për ta që “di si ti gatuaj”

    Së treti,
    Pas pyetjes suaj se cilat raste më kanë bërë përshtypje, komentova tre raste përciptazi por pa i konkretizuar me emra.
    Gjithashtu gjej rastin tju tregoj se në fakt rasti i Lelës për të cilën keni lënë një hapësirë të konsiderueshme në shkrim, realisht nuk është aq tragjik siç ju e paraqesni. Unë kam filmime dhe foto të ndryshme, piktura të tjera, të cilat tregojnë se në fakt ajo ka një progres dhe arritje nga momentet e para të ardhjes në institucion, e deri në ditët e sotme. Përshkrimi juaj është mjaft stigmatizues dhe “i fryrë” në lidhje me realitetin e vajzës së vogël, që gabimisht bëhet objekt bisede thjesht për ti dhënë më shumë publicitet një artikulli.

    Dhe së fundi, në paragrafin
    E vërteta e dhimbshme është që jetimët ndihen inferiorë pasi realisht ata nuk kanë të njëjtat mundësi me bashkëmoshatarët, por me këtë nuk nënkuptoja se ata thuajse nuk shikojnë kurrë lekë me sy! Ata kanë edhe lekë edhe të mira materiale, madje edhe më shumë se fëmijë të tjerë familjesh me një ekonomi modeste. Thjesht, me lekët e pakta nuk mund të sillen gjithnjë si bashkëmoshatarët e tjerë në ekskursionet që ata shkojnë, pra nuk mund të bëjnë blerje të tepërta.

    Ju falenderoj për përpjekjet tuaja për të treguar se si shteti i rrit jetimët, por mendoj se duhet të tregoheni më i kujdesshëm në atë çka ju përcjellin personat që janë më afër atyre fëmijëve çdo ditë dhe investojnë kohë e mund, dhe mbi të gjitha e njohin vërtetë realitetin.
    P.S: Kujdes me drejtshkrimin duke qenë se një artikull me vlerë i botuar, nuk mund të tolerojë asnjë lapsus!

  2. Shkrimi eshte shume i mire. Trajton nje problem social te rendesishem. Karakteri i nje shoqerie duket ne sjelljen e saj me individet (ose shtresat) e paprivilegjuar, njerz qe per arsye te ndryshme fati nuk eshte treguar bujar me ta. Tema te tilla duhej te gjenin me shume hapesire ne mediet shqiptare, te cilat jane pushtuar nga politika e dites, edhe atehere ku nuk ka asgje per te raportuar. Vjaza ne artikull eshte trajtuar me delikatesen e duhur. Psikologia qe eshte intervistuar, verej se ka verejtej per menyren si eshte cituar, por te ato qe ka thene ne shkrim dhe ato qe thote te komenti poshte artikullit nuk ka dnjoe ndryshim thelbesor. Trajtimi i vajzes, i bere nga gazetari, qe psikologes i duket i “fryre”, kurse asaj jo aq tragjik, ka te beje me qasjen ndaj objektit. Psikologia e ka ndjekur vajzen qe nga fillimi dhe eshte deshmitare e progresit ne jeten e femijes, kurse autori, me duket mua, i ve perballe fatit te vajzes, jeten e femijeve me prinder, si te Kristines. Kur e shikon nga kendveshtrimi i aturoit, eshte nromale qe jeta e vajzes te duket be veshtire. Ne kete rast mund te thuhet se autori dhe psikologjia shikojne te njejtin objekt, por njeri e ve theksin te pjesa plote, tjetri te pjesa bosh. Megjithate, artikulli eshte i balancuar, korrekt, dhe profesionalisht i arrire. C.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

* Copy This Password *

* Type Or Paste Password Here *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>

Kjo faqe interneti u realizua me mbështetjen e popullit amerikan, përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), në kuadër të Programit për Forcimin e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri (JuST). Shoqata e Gazetarëve për Drejtësi (SHGD) mban përgjegjësi të plotë për brendinë e kësaj faqeje, e cila nuk përfaqëson domosdoshmërisht pikëpamjet e USAID-it apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.

© 2014, Të gjitha të drejtat janë të rezervuara nga Shoqata e Gazetarëve për Drejtësi - SHGD

powered by The Dancing Bits

Scroll to top