Nga Telnis Skuqi
Qeveria shqiptare jep çdo vit mbi 4 miliardë lekë për familjet në nevojë, por një pjesë e mirë e këtyre parave shkojnë për individë apo familje që nuk janë në kushtet e përfitimit të ndihmës ekonomike. Abuzimi me ndihmën ekonomike që ka si qëllim të përmirësojë sadopak jetën e familjeve që janë vertët në nevojë, prej vitesh është kthyer në fenomen masiv në Shqipëri.
Vetëm përgjatë vitit 2012 janë evidentuar mbi 1 mijë familje që përfitojnë para në kundërshtim me ligjin. 240 raste ndodhen në qarkun e Gjirokastrës. Drejtuesit e institucioneve shtetërore janë në dijeni të abuzimeve, e megjithatë ende nuk kanë një strategji që do të përjashtonte nga skema familjet që përfitojnë pa të drejtë.
Zyrtarët e Ministrisë së Punës thonë se do të miratohet një sistem i ri pikëzimi me qëllim shmangien e abuzimeve, por gjithçka është në fazën e eksperimentimit. Edhe rastet sporadike të hetimit nga policia nuk kanë sjellë frenim të këtij fenomeni tepër shqetësues. Gjithçka ka përfunduar me arrestimin e ndonjë punonjësi lokal të zyrës së ndihmës ekonomike, por vetëm kaq.
Për Panajot Kuron, ekonomist i komunës së Pogonit në Gjirokastër, kjo situatë duhet të marrë fund. Ish-specialisti i ndihmës sociale pranon të rrëfejë një episod që tregon abuzimet me fondet publike.
Episodi që ka lënë të tronditur ekonomistin ka ndodhur në dhjetor 2012, kur detyra e çoi në një bankë të nivelit të dytë. Rastësisht pa një përfitues të ndihmës sociale që depozitonte me mburrje, në numrin e tij të llogari, plotë 11 milionë lekë të vjetra.
“Nuk e desha veten. Unë punojë nga mëngjesi në darkë dhe mezi depozitoj 100 mijë lekë vit, ndërsa “fukarai” hedh në bankë miliona lekë”,-thotë Kuro. Sipas tij, ndihmë sociale realisht nuk përfitojnë njerëzit në hall, por ata që kanë mundësi të jetojnë për mrekulli.
“Atë njeri që depozitoj lekë në bankë e njoh si buka që ha. Kam punuar si specialist i ndihmës sociale dhe çdo muaj ai person paraqiste dokumentet”-thotë Kuro, ndërsa shton se ky njeri i kamur ka përfituar në kurriz të personave që janë vërtetë në nevojë.
“Personalisht nuk jam kundër ndihmës sociale, por ka ardhur koha që skema të ndryshoj rrënjësisht”. Ish-specialisti i ndihmës sociale shprehet se vitet e fundit është rritur numri i abuzimeve me skemën ekonomike, sidomos në komunat e qarkut të Gjirokastrës.
Ky fenomen tashmë është i njohur edhe për zyrtarët e Prefekturës apo Shërbimit Social Shtetëror, të cilët thonë se do ndërmarrin një nismë për eleminimin e abuzimeve me përfitimin e ndihmës ekonomike.
Prefektja e qarkut të Gjirokastrës, Mimoza Çomo, thotë se situata është shqetësuese, pasi një pjesë e mirë e familjeve që përfitojnë ndihmë ekonomike nuk i plotësojnë kriteret.
Mimoza Çomo, Prefekte e Qarkut të Gjirokastrës
“Rreth 240 nga 2100 familje për përfitojnë nga skema e ndihmës sociale në 32 njësitë vendore në prefekturën e qarkut të Gjirokastrës, nuk plotësojnë kushtet për të përfituar një shërbim të tillë”, -thotë Çomo. Sipas saj, ky fenomen shoqërohet jo vetëm me dëm ekonomik, por fondet e akorduara nga buxheti i shtetit nuk shkojnë plotësisht për familjet vërtet në nevojë.
“Delegimi i këtyre fondeve pranë këtyre njësive të qeverisjes vendore, plotësimi dhe përmirësimi i vazhdueshëm i bazës ligjore bëhen me qëllim të shpërndarjes së tyre sa më të drejtë dhe më efikase”, shprehet Çomo.
Të njëjtin shqetësim ndan edhe Leonard Strazimiri, drejtori i Shërbimit Social Shtetëror pranë Ministrisë së Punëve Sociale e Shanseve të Barabarta. Strazimiri thotë se nga verifikimet e kryera janë vënë re shumë raste kur është përfituar në mënyrë abuzive, por pranon se pavarësisht masave ky fenomen do të jetë prezent.
Kreu i Shërbimit Social tregon se gjatë vitit 2012 janë evidentuar mbi 1 mijë familje që kanë përfituar ndihmë sociale jashtë çdo kriteri të përcaktuar në ligjin për shërbimet shoqërore.
“Abuzimi me skemën e ndihmës ekonomike është dhe do të jetë një problem”, thotë Strazimiri. Por sipas tij, këtë vit parashikohet që skema e ndihmës ekonomike do të reformohet, sidomos në tre qarqet e mëdha të vendit Tiranë, Durrës dhe Elbasan.
“Vlerësimi për ndihmë ekonomike do të bëhet mbi bazën e një sistemi pikësh. I interesuarit thjeshtë plotëson një deklaratë, ndërsa administrata nis verifikimet. Specialisti i jepet e drejta të kontroll në themel gjendjen ekonomike të të interesuarit, duke “gërmuar” në hipotekë, kadastër, bankë, si dhe në drejtorin e transporteve”,- pohon Strazimiri.
Më tej, Strazimiri, thekson se formula e re është e shpejt, e saktë dhe abuzimet verifikohen në kohë rekord.
“Me formulën e vjetër i interesuarit “vraponte” për të siguruar dokumentet, ndërsa me formulën e re “vrapon” specialisti, i cili tashmë mban përgjegjësi në rast verifikohen abuzimet”, nënvizon Strazimiri.
Edhe skema aktuale parashikon ndëshkim për përfituesit abuziv apo zyrtarët e papërgjegjshëm. Por këto raste janë sporadike dhe me efekt të kufizuar në frenimin e këtij fenomeni.
Rreth një muaj më parë, tre punonjës të zyrës së ndihmës sociale, dy në Këlcyrë dhe një në Përmet, u ndaluan nga policia lokale me akuzën “shpërdorim detyre”. Sipas autoriteteve rezultoi se të paktën 50 persona kishin përfituar në mënyrë të paligjshme ndihmë ekonomike dhe ndaj tyre nisi një hetim penal në gjendje të lire.
Tre zyrtarët e arrestuar i kishin shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 2 milionë lekësh, ndërsa 50 persona, prej 6 vitesh, kanë përfituar padrejtësisë ndihmë sociale.
Ky rast është vetëm maja e ajsbergut për Ministrinë e Punëve Sociale dhe Shanseve të Barabarta (MPSSHB), pasi 20 vitet e fundit shumë persona kanë përfituar padrejtësisht ndihmë sociale.
“Shkaktarë nuk janë vetëm punonjës i përkrahjes sociale, por e gjithë administrata shtetërore, që shpërndajnë vërtetime “pa doganë” për asistencë”, shprehet një specialist pranë MPSSHB, i cili preferoi të ngelet anonim.
Thuajse në të gjitha rastet e abuzimit, Zyrat e Ndihmës Sociale në Shqipëri kanë rënë preh e dokumenteve të falsifikuara.
“Nuk mendoj se punonjësit e ndihmës ekonomike ka vënë në diskutim dokumentet e administratës shtetërore, por nuk përjashtoj mundësin se disa kanë abuzuar, siç është rasti i Këlcyrës”, pohon specialisti, i cili mendon se tashmë ka ardhur koha që skema e ndihmës sociale të reformohet.
Kush përfiton ndihmë ekonomike
Leonard Strazimiri, drejtori i Shërbimit Social
Sipas vendimit të Vendimit të Këshillit të Ministrave (VKM), nr.787, datë 14.12.2005 “Për përcaktimin e kritereve, të procedurave dhe të masës së ndihmës ekonomike” përfituesit e ndihmës ekonomike janë familjet pa të ardhura ose të pamjaftueshme, jetimët e papunës mbi 25 vjeç, jetimët e moshës 18-25 vjeç, të cilët nuk janë vendosur në institucionet e shërbimeve shoqërore ose nën kujdestari, si dhe familje me fëmijë trinjak e më shumë, që janë në nevojë.
Leonard Strazimiri, drejtori i Shërbimit Social Shtetëror pranë Ministrisë së Punëve Sociale e Shanseve të Barabarta tregon se me ligjin ekzistues kryefamiljari në nevojë, çdo muaj plotësohet duhet të paraqesë certifikatën familjare, certifikatën e pronësisë të lëshuar nga hipoteka, tapinë e tokës, si dhe vërtetim si punëkërkues i papunë. “Ndihma ekonomike shpërndahet një herë në muaj, ndërsa kërkesa për të përfituar këtë shërbim bëhen me shkrim çdo muaj”, thekson Strazimiri.
Your email address will not be published.
Ndërrohen qeveritë, Berisha jep dorëheqjen pas 8 vitesh në pushtet
Amnistia, ja kush lirohet nga burgu për festat
Zgjedhjet, dështon verifikimit elektronik i kartave në Tiranë
Lirohet Xhelal Mziun, mbështetësit e presin si hero
Raporti i DASH: Shqipëria vend transit për heroinën dhe kokainën
Kjo faqe interneti u realizua me mbështetjen e popullit amerikan, përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), në kuadër të Programit për Forcimin e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri (JuST). Shoqata e Gazetarëve për Drejtësi (SHGD) mban përgjegjësi të plotë për brendinë e kësaj faqeje, e cila nuk përfaqëson domosdoshmërisht pikëpamjet e USAID-it apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara. © 2014, Të gjitha të drejtat janë të rezervuara nga Shoqata e Gazetarëve për Drejtësi - SHGD