KEMP-i, “mision i pamundur” për të sëmurët mendor Reviewed by Momizat on . Qindra familje në Tepelenë jetojnë me dramën e pranisë së një të sëmuri psikik mes tyre. Shumë prej këtyre familjeve priren “të fshehin” dhe të mohojnë patologj Qindra familje në Tepelenë jetojnë me dramën e pranisë së një të sëmuri psikik mes tyre. Shumë prej këtyre familjeve priren “të fshehin” dhe të mohojnë patologj Rating: 0
You Are Here: Home » Investigime » KEMP-i, “mision i pamundur” për të sëmurët mendor

KEMP-i, “mision i pamundur” për të sëmurët mendor

KEMP-i, “mision i pamundur” për të sëmurët mendor

Qindra familje në Tepelenë jetojnë me dramën e pranisë së një të sëmuri psikik mes tyre. Shumë prej këtyre familjeve priren “të fshehin” dhe të mohojnë patologjinë duke përkeqësuar kështu edhe gjendjen e të sëmurëve , të tjerë nuk ja dalin dot të blejnë ilaçe për të afërmit e tyre dhe ka mes familjeve të prekura që nuk kanë asnjë mundësi finaciare për të kryer ekzaminimet paraprake që mund të çojnë drejt përfitimit të KEMP-it.

Nga Kristina Fidhi

“Ne jetojmë këtu në këtë shtëpi, 5 persona, 3 fëmijët dhe unë me gjithë gruan”, kështu e nis rrëfimin e tij Kastriot Shyti banor i fshatit Krahës 2, rreth 45 vjeç. Në fakt e ka fjalën për një ngrehinë gjysmë të rrënuar, me një dhomë të vetme. “Jemi katandisur  mos më keq me halle, me probleme, papunësia ekonomia, sëmundja. Kur të vijnë, të vijnë të gjitha njëherësh dhe janë të papërballueshme.

Kastrioti jeton në këtë banesë që pas martesës së tij me Violetën. Çifti  e nisi normalisht jetën bashkëshortore rreth 20 vjet më parë por rrënimi nisi pas sëmundjes së tij, prej një defekti në shtyllën kurrizore. Më tej pasoi e shoqja qe vuan nga çrregullime depresive dhe anemi. Vajza e tyre 11 vjeçe vuan nga një meningoencefalit i shkaktuar të paktën 4-5 vite më parë, pas një temperature të lartë. Djali i madh i familjes 16 vjeç, është astmatik me nevojë të vazhdueshme për mjekim, ndërsa i vetmi person i shëndetshëm në familjen Shyti mbetet vajza e tyre 7 vjeçare. Nga të tre fëmijët ajo është e vetmja që ndjek shkollën.

Kastriot Shyti

Kastriot Shyti

Kastrioti ka ditë që gjendet i vetëm në shtëpi për t’u kujdesur për fëmijët. E shoqja Violeta është e shtruar prej një jave në spitalin e Tepelenës dhe djali i madh shkon për ta vizituar atje.

“Jam i lodhur”, thotë ndërsa përpiqet të qetësojë vajzën që kalon kriza të vazhdueshme epileptike. “Kam kërkuar pas 2007 një ndihmë nga komuna, Ladi Resuli i pari dhe Qenan Halili më pas më kanë thënë t’ju drejtohem instancave më të larta shtetërore sepse komuna nuk mundet. Pastaj kam vajtur në Tepelenë. Më kanë thënë që do të te rregullojmë ndihmën ekonomike, që të marrësh diçka, që mos ju lëmë pa bukë e pa ujë. Marr 40 mijë lekë, 4 mijë të reja, kam marrë dhe 20 mijë domethënë 2000 lekë. Aq  ju vinte fondi,  jo se donte komuna të m’i mbante mua, por kishte shumë kërkesa dhe ishte shumë para e ulët, e përpjestohej për sa persona ishim”, përpiqet të sqarojë Kastrioti.

Ndihma ekonomike bazë është e vetmja e ardhur për këtë familje. Minimalisht vajza 11-vjeçare nuk është paraqitur kurrë në KEMP për të përfituar pensionin. Duke mos u kuruar gjendja e saj nuk ka njohur përmirësim. Të njëjtat probleme vuajnë të gjitha anëtarët e kësaj familjeje, pamundësinë finaciare për të shkuar tek mjeku e për të kryer ekzaminimet e nevojshme që do t’i çonin drejt përfitimit të një ndihme ekonomike si persona me paaftësi të përkohshme apo të përhershme.

“Unë kam një djalë të sëmurë astmatik me djegje nga brenda, e kam kuruar në doktor privat në Tiranë. Ai ka probleme sidomos kur çelin pemët dhe i bllokohet frymëmarrja, skemi asnjë ilaç nuk dimë ç’ti bëjmë. Vajza ka kaluar një temperaturë 40 – 41 gradë dhe prej reaksionit të gjilpërave i mbushej trupi me ujë. Atëherë kur i ndodhi, ca vite më parë, e çoja 2-3 herë në ditë në spital për t’u kuruar. Tani nuk i marr asgjë, asnjë ilaç sepse janë me librezë shëndetsore, unë jam i pasiguruar vetë dhe gjilperat i marr sa janë në treg. Ne tani jemi katër vetë me ilaçe vetëm vajza e vogël, që është 7 vjeç nuk do mjekim. Asnjë nga ne nuk merr gjë tjetër nga shteti”, vijon Kastrioti. “Ekonomia bën të sajën, kur je i sëmurë bëhesh i paditur, njeri nuk të do, kushtet nuk i përballon dot. Kjo është ekonomia ime

Astrit Dervishi, kryetar i komunes Krahes-Tepelene

Astrit Dervishi, kryetar i komunes Krahes-Tepelene

se nuk ka punë, se po të kishte punë, sikur të merrja 15 mijë në muaj nuk do ta zgjidhja 100 %, por nuk do futesha në borxh. Kjo më bën që mos të lëviz dot nga shtëpia. Nuk kemi asnjë lek për të vajtur tek doktori”, -thotë Kastrioti.

Kreu i komunës Krahës Astrit Dervishi thotë se janë me dhjetëra familje që vuajnë kushte ekstreme jetese, që kanë ndroje dhe turp për gjendjen shëndetsore të të afërmve të tyre si dhe mungesë informacioni për shërbimet sociale. “Është mjeku i komunës ai që duhet t’ju tregojë që përfitojnë nga KEMP”-i thotë kryetari Dervishi. “ Ne i trajtojmë me ndihmë ekonomike si familje e varfër se nuk na kanë sjellë dokument tjetër. Kemi një fond rezervë 3% të buxhetit por atë e përdorëm për emergjencat. Shumë shtëpi në komunë janë rrëzuar dhe kanë rrëshqitur prej reshjeve dhe amortizimit”.

Ecejaket e  një të sëmuri deri sa të shkojë në  KEMP

Astrit Zeneli, mjek, drejtor në spitalin e Tepelenës sqaron se për të sëmurët që gjenden në zona të largëta sigurimi i dokumentacionit të nevojshëm për të hyrë në KEMP kërkon shumë kohë dhe kosto të papërballueshme për familje si ajo e z. Shyti. “Unë kam qenë vetë anëtar i KEMP-it , sqaron Zeneli. Kur ka një problem shëndetsor si në këtë rast, që kemi të bëjmë me një të  sëmurë neuro-psikik ai duhet të paraqiten tek mjeku i familjes dhe më pas tek mjeku specialist në shërbimin spitalor Tepelenë. Këtu  bëhet një kartelë shtrimi. Me fletën e daljes dhe konkluzionet tona duhet t’i nënshtrohet një rradhe ekzaminimesh që kërkojnë kosto“, -sqaron mjeku.

Astrit Zeneli, drejtori i Spitalit te Tepelenes

Astrit Zeneli, drejtori i Spitalit te Tepelenes

Stoli Selmani mjeke neuropsikiatre prej vitesh në zonën e Tepelenës pohon se e shoqja e Kastriotit, Violeta është paraqitur një herë në spital dhe është diagnostikuar me një neurozë me elementë depresivë dhe anemi por nuk ka shkuar më për vizitë. “Pa librezë shëndeti nuk i nënshtrohet dot asnjë ekzaminimi nga shteti. Që të kalojë në KEMP ka disa kritere. Ajo në rradhë të parë duhet të bëjë skanerin që nuk ka mundësi finaciare ta bëjë, sepse kushton 13 mijë lekë, e dyta duhet të rikthehet tek mjeku neuropsikiatër duke prerë  faturën. Atje do t’i nënshtrohet një konsulte psikiatrike që bën vlerësimin e gjendjes psikike. Një depresion mund të kalojë kushdo, por jo të gjithë përfitojnë nga KEMP-i”, sqaron mjekja Selmani

“Unë jam e kësaj sfere dhe kam punuar dhe në KEMP. Ka të sëmurë mendorë, ka të sëmurë psikikë, ka neurologji me dëmtime. Pika e parë është mjeku i fshatit që duhet t’i orientojë këta të sëmurë dhe familjarët e tyre. Të gjitha zonat janë të mbuluara me mjekë por që të shkojë atje një pacient duhet të jetë i siguruar për të marrë rekomandim për tek specialisti. Nëse pacienti nuk është i siguruar, nuk i hapet kjo rrugë. Në këto kushte pacienti zgjedh të vijë vetë tek mjeku”, vijon znj. Selmani. “Do të zbatojë recepsionin duke prerë faturën 1500 lekë dhe do t’i nënshtrohet ekzaminimeve bazë, por nuk mund të bëjë dot ekzaminime të mëtejshme p.sh skanerin e kokës, pasi duhet librezë shëndeti”.

Duke ju referuar rastit të familjes Shyti mjekja Selmani thotë se: “Kjo familje ka një vajzë me aftësi të kufizuar por nuk e kanë sjellë sepse nuk kanë mundësi. Mjafton që ata të marrin një rekomandim nga mjeku i familjes dhe ta sjellin për vizitë, dhe më tej unë e çoj në spitalin psikiatrik të fëmijëve në Tiranë. Atje kryhet një test inteligjence i fëmijës. Në varësi të asaj sesa është përqindja e humbjes së aftësisë mendore plotësohet edhe dosja e pacientit dhe hartohet rekomandimi per t’u trajtuar me ndihmë ekonomike. Por familja i përballon të gjitha këto me shpenzimet e saj, e kjo pikërisht e ka penguar atë ta trajtojë fëmijën dhe të përfitojë prej mbështetjes për këta persona”, -sqaron mjekja.

Specialistët e Shërbimit Social Shtetëror flasin për qindra raste “të heshtura” të pacientëve që nuk mbulojnë dot shpenzimet fillestare

Dhimitër Mjedi, kreu i SHSSH-Gjirokastër

Dhimitër Mjedi, kreu i SHSSH-Gjirokastër

për ekzaminim. “Është neglizhenca e pacientëve që shumë prej tyre nuk kanë përfituar prej këtij fondi, por ne e kuptojmë që ata nuk kanë mundësi as të paraqiten për vizitë. Komuna ka përgjegjësi në këtë mes, ka raste që familje të tilla mund të përfitojnë nga fonde të veçanta të komunës. Mjeku i komunës nga ana tjetër duhej ta kishte prezantuar rastin e familjes që ju referoni me kohë”, -thotë  Dhimitër Mjedi, kreu i Shërbimit Social Shtetëror

Safet K. banor i Tepelenës, i mbërritur në Jug gjatë periudhës së monizmit për të punuar si minator në Memaliaj thotë se ka tre fëmijë të sëmurë mendorë. Ata, sipas tij, trajtohen me ndihmë ekonomike, por ato para nuk dalin as për bukë. “Me çfarë t’jua blej ilaçet? Le që çdo t’ju bëjnë ilaçet në këtë ditë. Ne jemi bërë që të na përpijë dheu”, -thotë i dëshpëruar babai i tre fëmijëve të rritur.

Ndihma ekonomike dhe nevojat për trajtim të të sëmurëve neuro-psikikë

Minimalisht një i sëmurë neuro-psikik ka të nevojshme sipas specialistëve përveç ekzaminimeve fillestare teste të vazhdueshme  inteligjence, EZHE , encfalografi dhe skaner të kokës. “Asnjë prej pacientëve të mi që trajtohen me ndihmë ekonomike nuk është në gjendje të blejë preparatet bashkëkohore” thotë mjekja Stoli Selmani “Preparate të tilla që  ushqejnë trurin i neuromidina e cila kryen rigjenerimin e qelizave të trurit apo neutropina që shërben për qarkullimin e gjakut është e pamundur që të blihen prej tyre”.

Mjekja, Stoli Selmani

Mjekja, Stoli Selmani

Duke ju refruar gjendjes së pacientëve që ajo trajton dhe që vitet e fundit janë shtuar mjaft “mund të flitet thotë Selmani në shumicën e rasteve për patologji të instaluar që lë defekte të parikthyeshme tek pacienti e megjithatë pacientët kanë nevojë për trajtim të vazhdueshëm, pasi mund të fillojnë atakët epileptikë apo turbullimet psikotike karakteriale që duhen mbajtur në kontroll të vazhdueshëm por kjo është diçka që familjarët nuk duan ta kuptojnë. Vetëm 20% e parave të përfituara nga ndihma mund të shkojnë për ilaçe. Shpesh përballemi me turbullime psikotike. Pacientët kryhejnë veprime të pakontrolluara, bëhen egresivë ndaj të tjerëve dhe ndaj vetes. Në pubertet hormonet ndikojnë dhe i bëjnë shumë energjikë. Por familjarët e tyre vijnë me librezat bosh pa asnjë ilaç nën psikozën se çfarë do t’i bëjë mjekimi dhe po tju a japin. Fatkeqsish kemi të bëjmë me familje shumë të varfëra”, -përfundon argumentin Selmani.

Prej vitesh specialistët kanë propozuar ngritjen e një komisioni të posatshëm për të studiuar rastet e reja çuditërisht në rritje. “Ne nuk dimë arsyet se përse këto çrregullime kanë ndodhur pikërisht në disa vite”, sqaron Selmani,  p.sh përse prediminojnë rastet e autizmit dhe sëmundjeve psikike mes të lindurve në vitet  ’97-2001, 2007-2011? Bazuar në eksperincën time mes të lindurve gjatë vitit 2007 rastet janë shumë të shpeshta. Çfarë është kjo, një vaksinë fruthi, rubeole është një formë e trashëguar apo diçka tjetër? Ka diagnoza nga më të ndryshmet që përqëndrohen edhe gjeografikisht në disa zona dhe aspak në të tjera. Ka familje që kanë kanë nga tre dhe nga katër të sëmurë me skizofreni në Krahës, në Memaliaj dhe shumë zona të tjera”,  thotë Stoli Selmani

Në të gjithë rrethin e Tepelenës trajtohen me ndihmë ekonomike për shkak të një paaftësie fizike apo mendore rreth 750 vetë prej të cilëve me patologji neuro-psikike janë rreth 35%. Mes këtyre të fundit ka të sëmurë që kanë nevojë për tre lloje ilaçesh, sidomos ata që trajtohen me barna antiepileptike. Vetëm një preparat i tillë kushton rreth 9000 mijë lekë ndërsa pensioni mujor për një pacient të tillë shkon në 9500 lekë.

Tepelena është një zonë mjaft e prekur nga sëmundjet mendore të cilat mbajnë në themel problemet ekonomike, krizat familjare dhe arsyet e pastudiuara. E gjithë zona njihet për numrin e lartë të tentative vetëasgjësuese prej vitesh, por zona e Krahës – Kalivaçit mund të definohet si  tipike për numrin e vetvrasjeve. Vetëm gjatë muajve të fundit dy të rinj në Krahës i kanë dhënë fund jetës në rrafshin e pak javëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

* Copy This Password *

* Type Or Paste Password Here *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>

Kjo faqe interneti u realizua me mbështetjen e popullit amerikan, përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), në kuadër të Programit për Forcimin e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri (JuST). Shoqata e Gazetarëve për Drejtësi (SHGD) mban përgjegjësi të plotë për brendinë e kësaj faqeje, e cila nuk përfaqëson domosdoshmërisht pikëpamjet e USAID-it apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.

© 2014, Të gjitha të drejtat janë të rezervuara nga Shoqata e Gazetarëve për Drejtësi - SHGD

powered by The Dancing Bits

Scroll to top