Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço ka braktisur këtë të hënë mbledhjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë ndërsa anëtarët e këtij këshilli po diskutonin në lidhje me emërimet në 13 vendet vakante në Gjykatën e Rrethit Tiranë. Daljen e tij ende pa përfunduar mbledhja, Ministri Naço e motivoi me mungesën e transparencës në vendimmarrje si dhe mosinformimin e opinionit publik mbi çështjet që ky këshill trajton. Ministri Naço deklaroi para mediave të interesuara në lidhje me zhvillimet e KLD-së, se është e dyta mbledhje që Këshilli i Lartë i Drejtësisë po e zhvillon në kundërshtim me praktikën që ka pasur deri tani, duke e distancuar median dhe rrjedhimisht duke ndikuar ndjeshëm në uljen e transperencës së vendimeve që ai miraton.
“Sot ka pasur diskutime të ndryshme në lidhje me emerimet për vendet vakante në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë si dhe për plotësimin e vendeve vakante në disa Gjykata Administrative, vakanca të cilat vijojnë prej muajsh dhe nuk plotësohen nga KLD-ja duke dëshmuar qartë për një mungesë efiçence të këtij këshilli. Ka pasur qëndrime të ndryshme përsa i përket emërimeve në 13 vendet vakante të Gjykates së Rrethit Tiranë dhe vendeve vakante në gjykatat administrative. Ndonëse mbledhja e Këshillit të Lartë të Drejtësisë ende po vazhdon, unë e braktisa sepse nuk mund të pranoj të jem pjesë e një farse të tillë që bie në kundërshtim me ligjin dhe praktikën që ky këshill duhet të zbatojë. KLD-ja ka nisur një praktikë errësire duke qenë larg syrit të medias dhe ky është një kthim mbrapa përsa i takon transparencës”, deklaroi Ministri Naço.
Ndërsa ka cituar Progres Raportin e Këshillit të Europës se shkolla jonë e magjistraturës është institucioni më modern dhe më i rregullt në vend, Ministri Naço gjithashtu sqaroi se propozimi i tij për promovimin e magjistratëve që kanë mbaruar studimet mbi një vit më parë por ende nuk ushtrojnë detyrën ndërkohë që vijojnë të paguhen, nuk është marrë në konsideratë nga ana e KLD-së. Po ashtu Z. Naço deklaroi se në të njëjtin pozicion shpërfillës janë edhe 8 magjistratët që kanë mbaruar së fundi. “Mendoja se Këshilli i Lartë i Drejtësisë do të më mirëkuptonte në lidhje me promovimin e këtyre magjistratëve. Mbi 130 magjistratë që nga viti 2001 kanë furnizuar me gjyqtarë sistemin e drejtësisë dhe besoj se këta magjistratë do të jenë e ardhmja për ta përmirësuar sistemin e drejtësisë dhe jo “qokat” e Këshillit të Lartë të Drejtësisë për të marrë gjyqtarë nga një rreth apo një tjetër”, theksoi Z. Naço
Your email address will not be published.
KLD shkarkon gjyqtarin e Elbasanit: Shkeli etikën
“Rruga” e Kamzës, një ferr për banorët e zonës
Thikë në zemër gruas 17-vjeçe për motive xhelozie
Spitali i Gjirokastrës me një reanimator, rastet urgjente përcillen në rrethe
Mbetjet spitalore në Berat, rrezik për jetën e banorëve
Kjo faqe interneti u realizua me mbështetjen e popullit amerikan, përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), në kuadër të Programit për Forcimin e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri (JuST). Shoqata e Gazetarëve për Drejtësi (SHGD) mban përgjegjësi të plotë për brendinë e kësaj faqeje, e cila nuk përfaqëson domosdoshmërisht pikëpamjet e USAID-it apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara. © 2014, Të gjitha të drejtat janë të rezervuara nga Shoqata e Gazetarëve për Drejtësi - SHGD