Këshilltarët e Komunës Cakran në rrethin e Fierit deklarojnë se nuk kanë qenë të informuar për listat e përfituesve të ndihmës ekonomike që kanë votuar, ndërsa akuzojnë administratorin social për paaftësi. Kryetari i Këshillit thotë se asnjëri prej këshilltarëve nuk ka kërkuar informacion dhe se për çdo mbledhje është zbatuar procedura ligjore. Bregasi: Lista është miratuar pa kundërshtime, këshilltarët kanë pasur në dispozicion çdo informacion.
Nga Edmond Hoxhaj
Parregullsitë e dhënies së ndihmës ekonomike, të konstatuara në Komunën Cakran të Fierit për vitin 2013, kanë nxjerrë në pah një tjetër problematikë, atë të votimit dhe miratimit në mënyrë të dyshimtë të projekt-vendimit të administratorit social në këshill. Ky fakt është bërë i ditur nga vetë këshilltarë të kësaj njësive vendore, të cilët deklarojnë se kanë votuar kalimin e projekt-vendimit të administratorit social për ndihmën ekonomike pa qenë të mirëinformuar rreth mënyrës së hartimit të dosjeve për çdo përfitues. Shkeljet e kryera gjatë procesit të përzgjedhjes së përfituesve të ndihmës ekonomike në Komunën Cakran, që ju propozuan këshillit prej administratorit social kanë sjellë një dëm ekonomik prej rreth 3 milionë lekësh.
Faksimile e Akt-Kontrollit të kryer në komunën Cakran
Këshilltari i Komunës Cakran, Tonin Xhelaj, pohon se jo vetëm ai, por të gjithë këshilltarët kanë votuar pa qenë të informuar rreth mënyrës se seleksionimit të përfituesve të ndihmës ekonomike, bazës ligjore dhe kritereve ku duhej të bazohej administratori social për të kryer përzgjedhjen. Madje, Xhelaj shkon edhe më tej duke akuzuar ish-administratorin social të Komunës Cakran për paaftësi dhe mungesë profesionalizimi. “Unë jam i painformuar totalisht dhe jam i bindur që edhe këshilltarët e tjerë janë të painformuar, kanë të njëjtin nivel me mua. Por gjithashtu jam i bindur që edhe administratori social pranë komunës sonë është krej i painformuar dhe i pa aftë. Kjo, sepse ne si këshilltarë nuk e kemi në profesionin tonë selektimin e përfituesve të ndihmës ekonomike, por administratori duhej të na vinte në dispozicion më shumë informacion e të na sqaronte pikë për pikë. Por duke qenë administratori i painformuar, ose për mendimin tim i pa aftë, është krijuar kjo situatë, ndërsa ne kemi rënë në atë batakun tonë”, ka pohuar këshilltari Tonin Xhelaj për “Investigim.al.” .
Edhe këshilltarë të tjerë të kësaj njësive vendore janë shprehur se nuk kanë pasur dijeni për kriteret dhe bazën ligjore mbi të cilën duhet të kryhet përzgjedhja e përfituesve të ndihmës ekonomike. Ata theksojnë faktin se administratori social është përzgjedhur duke u bazuar në bindjet politike dhe jo në aftësitë e tij profesionale dhe për këtë shkak kanë ardhur edhe abuzimet në seleksionimin e përfituesve të ndihmës ekonomike. Jo vetëm kaq, por një pjesë e këshilltarëve pohojnë se me votën e tyre kanë kthyer në vendim një projekt për të cilin nuk kanë qenë të informuar.
Kryetari i Këshillit të Komunës Cakran, Adriatik Bregasi ka deklaruar se ky është një qëndrim personal i disa prej kolegëve të tij. Sipas Bregasit, çdo këshilltar e ka pasur mundësinë të njihej me gjithë dokumentacionin e përpiluar prej administratorit social, pasi sipas tij, këtë gjë e detyron vetë procedura e zhvillimit të mbledhjes së këshillit. “Nisur nga këto deklarata dua të sqaroj se përsa i përket mbledhjeve të këshillit të komunës ato kanë procedurën e vetë se si zhvillohen. Kështu, pesë ditë para mbledhjes së radhës gjithë këshilltarëve u shprëndahen prej sekretarit të këshillit të komunës materialet dhe projekt-vendimet që do kalohen për votim. Çdo këshilltari i parqiten materialet e mbledhjes së radhës. Nëse është i interesuar mund të shikojë, mund të gjejë informacion në zyrat e komunës për materialet të cilat ka përpara. Gjithashtu edhe për ndihmën ekonomike, çdo këshilltari i paraqitet lista e përfituesve të seleksionuara nga administratori social. Në rastin konkret, lista ka ardhur duke u rritur. Para një viti ka qenë me 20 emra, për të cilët jepeshin rreth 40 mijë lekë. Sot lista është me 34 emra dhe jepen më shumë se 70 mijë lekë”, pohon Bregasi.
Kryetari i Këshillit të Komunës Cakran, Adriatik Bregasi
Duke u ndalur në rastin konkret, kryetari i këshillit të komunës sqaron se ish-administratori social ka qenë i pranishëm në çdo mbledhje të këshillit, por askush nuk ka kërkuar të informohet. “Kjo problematikë nuk ka dalë në asnjë mbledhje të mëparshme të këshillit. Madje ka marrë pjesë edhe administratori social në disa mbledhje, por nuk ka dalë kjo problematikë. Nuk është pyetur. Ka kaluar lista pa debat, pasi personat që përfitojnë ndihmë ekonomike janë persona që të gjithë i njohin si banorët më të varfër në zonë. Këta emra në listë, besoj se janë propozuar edhe nga kryetarët e fshatrave, por mendoj se kanë paraqitur edhe dokumentacionin e nevojshëm. Projekt-vendimet u paraqiten këshilltarëve pesë ditë para mbledhjes dhe baza ligjore është e pasqyruar në çdo dokument zyrtar. Gjithashtu kanë në dispozicion edhe administratën e komunës ose mund të gjejnë informacion juridik personalisht”, ka pohuar Bregasi, duke shtuar se nëse këshilltarët nuk kanë qenë të informuar, kjo ka qenë neglizhenca e tyre.
Vetë ish-administratori social i Komunës Cakran, Leonard Ruçaj, i cili tashmë është pezulluar nga detyra e mëparshme për shkak të shkeljeve të konstatuara gjatë inspektimit të Shërbimit Social Shtetëror, pohon se këshilltarët janë njohur gjithmonë me procedurat e ndjekura për përzgjedhjen e përfituesve të ndihmës ekonomike. “Administratori i shërbitmit social zbaton ligjin 9355, datë 10.03.2005 dhe vendimin nr.787, datë 14.12.2008. Në bazë të këtij ligji hartohet edhe projekt-vendimi për përfituesit e ndihmës ekonomike. Automatikisht përcaktohet baza ligjore mbi të cilin është hartuar projekt-vendimi dhe gjithë të dhënat e kritereve dhe procedurave që ndiqen për përzgjedhjen e përfituesve. Me këtë janë njohur gjithmonë këshilltarët kur ata kanë kërkuar informacion. Nuk ka pasur asnjëherë probleme të konstatuara, pasi është zbatuar gjithmonë ligji”, ka pohuar Ruçaj, i cili është nën hetim nga Prokuroria e Fierit për shkelje gjatë ushtrimit të detyrës.
Ish-dministratori i Komunës Cakran, Leonard Ruçaj
Një mënyrë e tillë votimi për projekt-vendimet që paraqiten për miratim në mbledhjen e njësisë vendore ka nxjerr në pah edhe anën tjetër të medaljes, që ka të bëjë me nivelin arsimor të këshilltarëve. Kryetari i Këshillit të Komunës Cakran, Adriatik Bregasi, pavarësisht se pohon se kolegët e tij kanë një nivel të mirë, pranon se disa prej tyre janë me arsim të mesëm, çka vë në pikëpyetje aftësinë e tyre për të kuptuar qartë projekt-vendimet që u paraqiten. Bregasi thotë se përzgjedhja e këshilltarëve është politike dhe se nuk ka një ligj që duhet të përcaktojë arsimin e tyre. “Përsa i përket zgjedhjes së këshilltarëve, çdo parti ka listat e saj. Është e drejta e tyre që t’i propozojnë. Por të themi të drejtën, në komunën tonë ka një nivel të mirë të këshilltarëve. Ka nga të gjitha fushat, ka me arsim të lartë, por ka edhe me arsim të mesëm. Gjithsesi, kur është dashur që të kryhen vepra në favor të komunitetit, këshilli i komunës sonë ka arritur ta gjejë konsensusin”, përfundon Bregasi.
Niveli arsimor i këshilltarëve të njësive vendore lë mjaft për të dëshiruar edhe në njësitë e tjera vendore të Qarkut të Fierit. Një numër i konsiderueshëm i këshilltarëve ose kanë vetëm arsimin e mesëm, ose në raste të tjera janë arsimuar në moshë madhore pranë universiteteve private gjatë viteve të fundit. Të gjitha vendimet e këshillave të njësive vendore filtrohen më pas nga prefektura e cila përcakton ligjshmërinë ose jo të tyre. Në rastin konkret, miratimi i projekt-vendimit të ndihmës ekonomike për vitin 2013, i hartuar prej ish-administratorit social pranë Komunës së Cakranit, Leonard Ruçaj, është kaluar atëherë edhe nga prefektura, edhe pse një vit më vonë u konstatuan shkelje e mungesa të shumta të dokumentacionit. Kështu, referuar akt-kontrollit të Shërbimit Social Shtetëror, të përfunduar në tetor të vitit 2013, është konstatuar se përfitimet e ndihmave ekonomike janë kryer në kundërshtim me ligjin, pasi 50 perosna që kishin marrë pension për paaftësi kishin mangësi në dokumentacionin e dosjes së përpiluar prej ish-administratorit social. Në këtë akt-kontroll theksohej fakti se të gjithë përfituesit duhej të kthenin paratë e përfituara në mënyrë abuzive.
Your email address will not be published.
Revoltohet Ilir Kupa, gjykata e lë në burg
Një 16-vjeçare gjendet në bodrumet e Qytetit Studenti
Teatri 2300 vjeçar i Apolonisë drejt shkatërrimit
Gjirokastra, qyteti që proteston kundër largimeve nga puna
Hyn në fuqi paketa e re penale, 20 vjet burg kush vret gruan
Kjo faqe interneti u realizua me mbështetjen e popullit amerikan, përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), në kuadër të Programit për Forcimin e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri (JuST). Shoqata e Gazetarëve për Drejtësi (SHGD) mban përgjegjësi të plotë për brendinë e kësaj faqeje, e cila nuk përfaqëson domosdoshmërisht pikëpamjet e USAID-it apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara. © 2014, Të gjitha të drejtat janë të rezervuara nga Shoqata e Gazetarëve për Drejtësi - SHGD