Administratori social në Komunën Armen në Vlorë akuzohet për abuzim me detyrën. Nga 70 familje në skemë, vetëm tre plotësonin kriteret e sanksionuara me ligj, për tëpërfituar pagesën e ndihmës ekonomike. Administratori pranon shkeljet e konstatuara nga Shërbimi Social: E bëja nga halli për të ndihmuar famijet e varfëra .
Nga Kristina Fidhi
Komuna Armen në Vlorë përfaqëson një zonë traditcionalisht të varfër fermerësh me rrugë të shkatërruara, infrastrukturë mekanike minimale për fermerët, toka të ndara, mungesa tregjesh për produktet , njëherazi një hapësirë ku 7036 banorë presin nga të ardhurat e emigracionit për të siguruar mbijetesën. Në këtë komunë, megjithëse lehtësisht shumë familje mund të plotësojnë kriteret për të qenë në listën e ndihmës ekonomike, situata duket se ka qenë kaotike dhe e përfshirë nga abuzimet shumëvjeçare dhe shkeljet e ligjit. Vetëm 3 familje ngelën në skemën e ndihmës ekonomike pas inspektimit të Shërbimit Social Shtetëtor (SHSSH) gjatë muajit shkurt në këtë komunë. Personi përgjegjës për abuzimin me këtë skemë sipas SHSSH në Vlorë është administratori social i kësaj komune, Kastriot Haxhiraj, i cili është gjobitur në vlerën maksimale të gjobës për këto raste.
Ines Stasa, drejtore e Shërbimit Social Shtetëror Vlorë
Ines Stasa, drejtore e Zyrës Rajonale, bën me dije se ka pasur raste në disa prej komunave kur këshilltarët kanë detyruar qoftë administratorin social apo i janë imponuar kryetarit të komunës për të vendosur në listën e ndihmës ekonomike edhe ato familje që nuk e meritojnë të jenë në skemë. “Pikërisht si rrjedhojë e këtij fakti që ne kemi hasur në kontrollet e kryera, administratori social i Komunës Armen është penalizuar me 100 mijë lekë të reja gjobë dëmshpërblim dhe njëkohësisht me një paralajmërim shkresor për largim nga pozicioni i punës. Por e bukur është edhe ana tjetër e medaljes, që ne si SHSSH nuk kemi kompetencë ligjore për të shkarkuar administratorët social e as për t’i emëruar ata. Kjo është e gjitha kompetencë dhe e drejtë e njësive të pushtetit vendor , e kryetarit të bashkisë apo të komunës”, sqaron Stasa.
E pyetur nëse rasti në fjalë flet për një shpërdorim detyre, Stasa përgjigjet: “Ky është një shpërdorim detyre ndaj edhe është penalizuar me maksimumin që lejon ligji, nga 50 mijë lekë të reja deri në 100 mijë lekë të reja dhe ai është penalizuar me 100 mijë lekë. Nëpërmjet zyrës së financës së komunës duhej vjelur edhe detyrimi , por ndodhi diçka tjetër edhe më e bukur, që atij nuk po i mbaheshin lekët nga kjo zyrë. Jam interesuar vetë dhe një muaj pasi kisha dhënë urdhrin për t’i mbajtur këto lekë nga paga e tij, por urdhri nuk ishte ekzekutuar. U interesova me kreun e komunës dhe zyrën e financës nëse kishte filluar të zbatohet urdhri që është dhënë nga zyra rajonale, sepse shpesh herë zyra rajonale në gjithë këto vite nuk është marrë fare parasysh. Çdo vendim që mund të ketë dhënë zyra rajonale është anashkaluar dhe neglizhuar nga njësitë e pushtetit vendor dhe në momentin që kreu i njësisë vendore thotë që ndërprerja administratorit social nuk i ka filluar ende, ne i paralajmëruam se do t’i çojmë në prokurori nën argumentimin se ishin duke neglizhuar vendimin e një autoriteti përgjegjës për këtë sektor që kishte marrë një masë të cilën ja lejon ligji. Pas kësaj atij ka filluar t’i mbahet nga paga e vet gjithë kjo”, përfundon Stasa.
Administratori social
Vetë administratori social Kastriot Haxhiraj thotë se pranon shkeljet që sipas tij janë bërë të detyruara prej pamundësisë së banorëve të kësaj zone për tiu përgjigjur kërkesave të ligjit. “Vetëm kam ndihmuar “, e nis rrëfimin e tij Haxhiraj, ndërsa vijon: “Këto 5-6 vitet e fundit kam arritur deri në 70 familje, jam ulur gradualisht pastaj sepse nuk dija si tja bëja deri sa kam mbërritur tek 33. Për vitin që shkoi deri në shtator i kisha 33, pastaj e ulën prapë. Tani shteti ligjor kërkon që të zbatosh legjislacionin dhe kanë ngelur vetëm 3”.
Administratori social Kastriot Haxhiraj
I pyetur se si ka mundur që të përfshijë kaq shumë familje në skemë pa dokumentacion, Haxhiraj sqaron se kryesisht dokumentacioni bazë që mungon si në të gjitha komunat bujqësore është certifikata e tokës. “Toka me certifikatë është kriter, por populli e ka të vështirë ta marrë certifikatën. Nëse një familje shumë e varfër kërkon sot që SHSSH t’i blejë një thes miell, i kërkohet që të marrë certifikatën, por që ta marrë certifikatën vetëm që të bëjë veprimet i duhen mbi 300-400 mijë lekë, por po t’i kishte këto lekë ai nuk kërkonte ndihmë ekonomike. Ata janë me duart përpjetë”, pohon Kastriot Haxhiraj. Teksa pranon edhe sulmet ndaj tij për këtë situatë, Haxhiraj thotë se që këtej e tutje nuk do t’i ndihmojë më në këtë mënyrë familjet e varfëra. “Unë këtë vit mund të kem qenë ndër më të kritikuarit në Qarkun e Vlorës. Por nuk kam ndër mend ta bëj më. Jua them me shpirt nuk ndihmoj më, sa të fillojë të merret hetuesia e prokuroia me probleme e fakte të tjera, më mirë thuaju ‘vdis’, nuk ke vdekur në kuptimin e ëmbël të fjalës”, shprehet administratori social.
Gjatë shkurtit të këtij viti, kohë kur është kryer edhe vlerësimi i dytë për këtë komunë, inspektorët vunë re se skema ishte shtuar me 24 familje. Në dosjet e përfituesve mungonin deklaratat e përgjithshme mujore, cetifikatat e pronësisë, certifikatat familjare u gjetën të printuara në format A4 me vulë të gjendjes civile. Vetëm për disa përfitues inspektorët gjetën në dosje certifikata pronësie edhe ato të fotokopjuara dhe të panoterizuara. Situata e përcaktuar si e papranueshme ka çuar në një situatë kaotike dhe jo të rregullt të pagesave për përfituesit, ndërsa pas verifikimit prej SHSSH, gati 90% e përfituesve janë debitorë ndaj shtetit me pagesat që kanë përfituar padrejtësisht.
Faksimile e Akt-Kontrollit të kryer ne komunën Armen
Administratori social pranon njëra pas tjetrës të gjitha shkeljet, duke i justifikuar ato si ndere për familjet në nevojë. “Ju kam bërë nder. I kam futur në lista pa certifikata vetëm me aktin e marrjes së tokës në pronësi, se kush ka certifikikatë këtu edhe ata që kanë e kanë të babait”, thotë më tej Haxhiraj.
Lidhur me mungesën në dosjet e përfituesve të deklaratave mujore ai shprehet se i ka bërë vetë fotokopje. “Nuk më vjen nga Karbunara njeri vet i dytë mua këtu të harxhojë 4 mijë lekë në vajtje e 4 mijë në ardhje që të sjellë deklaratën mujore. E kisha bërë kështu, fotokopjoja një muaj dhe e vendosja në dosje dhe për muajt e tjerë. Ndryshe njerëzit do vinin dy herë, një herë për të marrë lekët dhe një herë të dhënë deklaratën”, shprehet Haxhiraj.
Të njëjtën gjë thotë edhe një prej përfituesve të ndihmës ekonomike. Bardha. K pohon se është hequr nga lista e përfituesve, pasi nuk vinte dot çdo muaj për të bërë deklaratën. “Unë jam 20 km larg qendrës së komunës. Nuk ja vlen fare të vijmë dy herë në muaj për 20 mijë lekë që marrim. Ja e kishim ndrequr kështu me këta të komunës që të vinim një herë në aq e në kaq. Nuk e marr vesh pse na lanë fare kështu tani”, thotë Bardha.
Këshilli i Komunës
Aristidh Hysenaj, këshilltar gjatë mbledhjes së parë të Këshillit Komunal për këtë vit që u mbajt në mesin e muajit maj thotë se banorët e përjashtuar nga skema e kanë shumë të vështirë jetesën. “Ka njerëz që nuk kanë bukë e këta ju kërkojnë certifikata. Duhet të ndryshojë ligji që, e para, të marrin më shumë, dhe e dyta, ta marrin ata që e meritojnë se këtu nuk merret vesh fare se kush e merr ndihmën. Ne mblidhemi vetëm ca herë në vit dhe nuk marrim vesh çfarë bëhet”, shprehet Hysenaj.
Nga ana tjetër, SHSSH sqaron se Këshilli i Komunës Armen ka nivel të papranueshëm të njohurive mbi ligjin për shërbimet sociale. Ata saktësojnë në aktin e fundit të inspektimit se Këshilli mblidhet një herë në disa muaj dhe se janë vënë re raste kur ndihma është shpërndarë pa u miratuar listat. Kryetarët e fshatrave duket se fshihen gjithashtu pas skemës së tejfryrë me persona që nuk i plotësonin kriteret në këtë komunë, fakt që pranohet edhe prej administratorit social Kastriot Haxhiraj.
“Nëpërmjet kryepleqve dhe këshillave të fshatrave ka presione: Pse çuat filanin? Pse çon filanin? Pse nuk çuat këtë? Mund të ketë njerëz që deri diku nga gjendja ekonomike janë më mirë, por që nuk kam çfarë t’i bëj, me letrat janë në rregull dhe i fut në skemë, por ama vërtetë është i dobët ekonomikisht dikush, por pa asnjë letër nuk e çoj dot për ndihmë ekonomike. Ne i kemi pasur të hershme këto problemet ligjore që nga ‘91. Ka dhe falsifikime nga halli, por tek ne nuk ka bërë vaki që të ndikojë këshilli çoje filanin se dua unë. Në 13 vjet këshilli nuk e ka bërë këtë. Mua më përputhen të gjitha borderotë me listat”, sqaron Haxhiraj.
Përfitues të ndihmës ekonomike
Fuat Zotaj, një tjetër këshilltar thotë se përfituesit e skemës meritojnë të jenë më shumë, sepse njerëzit janë shumë të varfër në këtë zonë, por sipas tij nuk është kryer selektimi i duhur. “Majlinda, një komshija ime – thotë ai, – ka disa fëmijë për të rritur e vetme dhe nuk është në listë dhe ka njerëz këtu që kanë shtëpi tre katëshe që e marrin dhe atë 20 mijë lekësh se ju duhet. Për muajt e parë të vitit njerëzit nuk janë paguar fare”. Por Fuat Zotaj nuk e sheh veten përgjegjës si këshilltar për mos mbledhjen e këshillit, i cili për muaj me radhë nuk po merr vendime. Po ndërsa SHSSH ka konstatuar se kjo komunë nuk ka dërguar kërkesat për verifikim të listës në institucionet përgjegjëse, përrfaqësuesi i komunës thotë se janë institucionet përgjegjëse që kanë vonuar përgjigjet duke i lënë përfituesit përgjatë 3 muajve të parë të vitit të papaguar. “Zyra e Punës është përgjigjur pak me vonesë. Më 28 shkurt unë kam nisur shkresat për të bërë verifikimet dhe kanë ardhur më 4 prill, pak a shumë një muaj më vonë”, thotë Kastriot Haxhiraj.
I pyetur nëse anulimi i këtyre fondeve është i parikthyeshëm, administratori social sqaron se ligji nuk e lejon që ato të shpërndahen dhe për këtë arsye ato para “digjen”. Mes shkeljeve më flagrante të hasura në këtë komunë janë me dhjetra familje që gjendeshin fiktivisht në lista. Vendimi i SHSSH i detyron ato të kthejnë pas fondet e përfituara padrejtësisht, mes tyre edhe familje që përfitonin pension apo shpërblime për arsye të tjera. Komuna Armen trajtonte me ndihmë ekonomike vetëm 1.1% të familjeve prezente gjatë vitit të kaluar, ndërsa tani shifra është e papërfillshme. Disa dhjetra familje që meritonin të ishin në lista nuk janë pjesë e tyre, pasi në shumë zona nuk kanë pasur asnjë dijeni për ekzistencën e përkrahjes sociale. Dëmi ekonomik i prodhuar prej kësaj situate që prej vitit 2000 llogaritet në miliona lekë, por ende nuk janë identifikuar qartë përgjegjësit.
Your email address will not be published.
Dëshmia që çoi në pranga Guvernatorin Ardian Fullani
“Ethete e skrapit” nuk falin as kapakët e pusetave
Avioni me drogë, rrëfehet piloti: Në Shqipëri erdha për biznes
Kush janë 19 të arrestuarit për skandalin e Bankës së Shqipërisë
Polifonisti vret gruan dhe veten pas 40 vitesh martesë
Kjo faqe interneti u realizua me mbështetjen e popullit amerikan, përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), në kuadër të Programit për Forcimin e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri (JuST). Shoqata e Gazetarëve për Drejtësi (SHGD) mban përgjegjësi të plotë për brendinë e kësaj faqeje, e cila nuk përfaqëson domosdoshmërisht pikëpamjet e USAID-it apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara. © 2014, Të gjitha të drejtat janë të rezervuara nga Shoqata e Gazetarëve për Drejtësi - SHGD