Vendimet për ndërtimin e hidrocentraleve në zonën e Librazhdit janë dhënë pa marrë parasysh lejet mjedisore, ndërsa projektet janë modifikuar gjatë zbatimit. Ekspertët e mjedisit ngrenë shqetësimin për katrahurën mjedisore në lumenj duke kërkuar ndërhyrjen e shtetit
Nga Avushe Zhuka
Koncesionet e dhëna për ndërtimin e hidrocentraleve në Shqipëri hedhin dritë mbi abuzimet dhe korrupsionin e zhvilluar në këtë proces. Më konkretisht investigim.al është fokusuar në koncesionet e hidrocentraleve në zonën e Librazhdit ku numërohen mbi 87 leje për HEC-e nga të cilat 47 në parkun kombëtar Shebenik Jabllanicë. Vendimet për koncesionet e hidrocentraleve janë dhënë para marrjes së lejes së mjedisit ndërkohë që nuk ka raporte të monitorimit të tyre. Projektet teknike dhe ato të zbatimit janë modifikuar duke ndryshuar projektin fillestar. Këto fakte bëhen të ditura nga ekspertët e mjedisit pas shqyrtimit që kanë mundur t’u bëjnë dokumenteve, vendimeve, lejeve mjedisore etj. Edhe në raportin përfundimtar të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) mbi auditimin e ushtruar në ish-Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, sot Ministria e Energjisë dhe Industrisë, me objekt “Për zbatimin e ligjshmërisë dhe rregullshmërisë ekonomiko-financiare” për koncesionet evidentohet qartë mungesa e dokumentacioneve për veprat e HEC-eve, problemet me monitorimin e veprave ujore si dhe të shfrytëzimit të kapaciteteve ujore.
Nga vëzhgimet në terren vihet re se për ndërtimin e hidrocentraleve nuk janë zbatuar kushtet e lejes mjedisore. Autoritetet kanë lejuar një katrahurë mjedisore në këto lumenj, ku shihet fare qartë se si është devijuar shtrati natyral i lumit, shkatërruar bimësia dhe pemët anës lumit. Një rast i tillë është edhe ai i HEC-eve të Rapunit të ndërtuara në lumin e Rapunit. Koncesionet për HEC-et e Rapun 1 dhe Rapun 2 janë fituar nga shoqëria “C&S Construction Energy” me vendim të Këshillit të Ministrave nr.717, datë 14.05.2008. Shifra për kryerjen e investimeve në këto 2 HEC-e është 749,080,000 lekë ose 5,467,737 në euro. Vendimi për licencimin e shoqërisë “C&S Construction Energy” sh.p.k në aktivitetin e prodhimit të energjisë elektrike është marrë nga bordi i komisionerëve të ERE 2 vjet më vonë më 21.04.2010. Kjo e fundit ka vendosur të licencojë shoqërinë “C&S CONSTRUCTION ENERGY” sh.p.k në aktivitetin e prodhimit të energjisë elektrike nga HEC Rapuni 1 dhe HEC Rapuni 2. Po kështu në vitin 2009 është marrë vendimi për dhënie leje për ndërtimin e HEC-it Rapun 3. Ndërkohë që vetëm pak muaj më parë, pikërisht në datën 05.05. 2015, Këshilli i Ministrave vendosi miratimin e lejes së ndërtimit për projektin “Ndërtimi i hidrocentraleve ‘Rapun 3’ dhe ‘Rapun 4’ në rrjedhën e lumit Rapun, Komuna Qendër, Librazhd, Qarku Elbasan me subjekt kërkues shoqërinë koncensionare ‘C&S Energy’ sh.p.k”. Leja mjedisore për ndërtimin me koncesion i HEC-it Rapun 3 dhe Rapun 4 është miratuar më 16 maj të vitit 2013. Në këtë vendim përcaktohet qartë vlefshmëria e e lejes së dhënë brenda një afati kohor 2-vjeçar. Në të përcaktohet se mosfillimi i aktivitetit brenda një periudhe 2-vjeçare sjellë për pasojë pavlefshmërinë e lejes për ushtrimin e këtij aktiviteti. Duket se kjo ka qenë edhe arsyeja pse qeveria vendosi të miratojë lejen e ndërtimit për 2 HEC-et vetëm 11 ditë para përfundimit të afatit.
Një tjetër problem është mënyra sesi janë dhënë këto leje pa e informuar komunitetin. Në periudhën kur janë marrë lejet e para për ndërtimin e HEC-eve në zonën e Librazhdit, komuniteti nuk ishte i informuar për pasojat dhe rrezikun që i kanosej. “Në kohën kur janë bërë projektet e zbatimit për këto hidrocentrale, rregullat për mbrojtjen e mjedisit kanë qenë të dobta për shkak se ishte një fenomen i ri”, thotë eksperti i ujërave Molnar Kolaneci. Ekspertët flasin për rrezikun e shfrytëzimit pa kriter të rrjedhave ujore pas ndërtimit të HEC-eve. Moszbatimi i kushteve të kontratave koncesionare në veçanti për ujin ekologjik. Ky problem është ngritur edhe nga komuniteti i cili ankohet për shfrytëzim në maksimum të kapacitetit ujor gjë që ka përkeqësuar jetesën e banorëve. “Nuk janë bërë konsultime me banorët, ndërkohë që firmat për plotësimin e dokumentacioneve janë dhënë nga përfaqësues të këshillave komunal. Edhe ata në atë kohë nuk e kishin idenë për atë që ishin duke firmosur. Ata nuk e dinin rrezikun që i kanosej komunitetit nga shfrytëzimi i ujit pa kriter”, shprehet kryeplaku i një fshati të prekur nga ndërtimi i hidrocentraleve.
Nga dokumentacioni i gjetur për procesin e përgatitjes së VNM-së nuk ka evidecë të mbajtjes së takimeve dhe konsultimit me banorët dhe palët e interesuara në lidhje me aktivietet e HEC-ve. Leje për ndërtim HEC-esh janë dhënë në të gjithë zonën e Librazhdit ndërkohë që nuk janë ndërtuar ujësjellës për furnizimin e banorëve të këtyre zonave. Edhe KLSH pas përfundimit të auditimit ngre shqetësimin e shfrytëzimit të kapaciteteve ujore. “Nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë në bashkëpunim me strukturat e saj të varësisë të rishikohet strategjia kombëtare në mënyrë që t’i jepet zgjidhje problemeve të shfrytëzimit të kapaciteteve ujore, përdorimit të tyre pa përkeqësuar jetën dhe aktivitetin e përditshëm të qytetarëve dhe në respekt të aspekteve mjedisore dhe marrëveshjeve rajonale të shfrytëzimit të ujrave, kërkesë kjo edhe e ligjit ‘Për koncesionet dhe partneritetin publik-privat’”, rekomandon KLSH në shkresën që i ka dërguar ministrit të Energjisë Damian Gjiknuri në datën 10.02.2014. “Strategjia të reflektojë edhe ndjekjen e monitorimin e këtyre koncesioneve për të pasur një panoramë të plotë të veprave energjitike të dhëna me koncesion dhe ecurinë e tyre në mënyrë që realizimi i çdo procedure konkuruese për të marrë me koncesion burimet ujore kombëtare për përftimin e energjisë elektike dhe përmirësimin e furnizimit të sistemit hidro-energjitik shqiptar, i propozuar nga subjektet private në territorin e Republikës së Shqipërisë të mos rezultojë një sipërmarrje e dështuar”, vijon rekomandimet KLSH.
“Monitorimi i ujit ekologjik ka mbetur jetim dhe nuk shprehet në mënyrë eksplicite në vendimmarrjet përkatëse se kush institucion e ka për detyrë. Problemi i ujit për ujitje monitorohet nga vetë banorët, të cilët në bashkëpunim me pushtetin lokal dhe autoritetin e basenit nxjerrin vendime që janë të detyrueshme për investitorin. Nga disa kontrolle rezulton se në aktivitetin e HEC-ve, çështja e ujit ekologjik nuk është në vëmendjen e investitorëve. Situata shkon deri aty sa ata e kthejnë në pronë private lumin dhe nuk lejojnë të bësh monitorime. Ky është një nga problemet serioze dhe që shteti duhet të marrë masa”, shprehet eksperti i ujërave, Molnar Kolaneci. Sipas ekspertëve janë shkelur procedurat e dhënies së lejeve mjedisore të cilat thjesht janë përdorur si dokument për të mbështetur projektin teknik. Vendimi për koncesionin është dhënë përpara marrjes së lejes së mjedisit. “Legjislacioni për mbrojtjen e mjedisit dhe ligji për lejet e mjedisit sanksionon që çdo aktivitet që ka nevojë për leje mjedisi, raporti i VNM-së dhe pajisja me leje mjedisi bëhet përpara dhe është në kushte paraprake të marrjes së lejeve të tjera për zhvillimin e një aktiviteti të caktuar”, sqaron eksperti i mjedisit Gavrosh Zela. Duke iu referuar dokumentacioneve për HEC-et e Rapunit ai shprehet se raporti i vlerësimit të ndikimit në mjedis (VNM) është përgatitur pas përgatitjes së projektit teknik. Sipas Zelës, ai është konsideruar thjesht një dokument për të mbështetur projektin teknik dhe jo si një dokument që ndihmon në eveidentimin, zbutjen apo mënjanimin e ndikimeve në mjedis. “Ky raport nuk trajton dhe nuk nxjerr në pah efektet kumulative që krijohen nga përdorimi i gjithë kaskadës së lumit për të ndërtuar gjithë HEC-et e planifikuara. Në raport nuk janë evidentuar qartë dhe nuk janë përshkruar ndikimet në biodiversitetin e zonës nga ndërtimi i këtyre veprave (biodiversiteti i shtratit të lumit, bimët dhe peshqit), të ndikimit të pakësimit të ujit për kafshët e egra të zonës, të bimësisë së zonës etj.”, shprehet Zela.
Ekspertët ngrenë shqetësimin për rrezikun që i kanoset mjedisit nga moszbatimi i lejeve dhe kushteve të tyre. Situata në hidrocentralet e Rapun 1 dhe Rapun 2 të cilat kanë filluar aktvitetin e prodhimit të energjisë është shqetësuese. Shtrati i lumit është devijuar komplet, uji është futur në tubacione duke e tharë komplet një pjesë të shtratit, ndërkohë që nuk janë marrë masa për të risistemuar shtratin e lumit. “Në raportin e VNM-e nuk janë parashikuar ndikimet në përdoruesit tradicional të trupit ujor (mullinjët, amatorët e peshkimit, shoqatat e përdoruesve të ujit, operatorët turistik, kanalet e marrjes së ujit për vaditje, sipërfaqet e tokave që u ndikohet vaditja). Nga vëzhgimet në terren vihet re se është shkatërruar bimësia (shelgje, rape, etj) tipike e shtratit të lumit. U vu re se kishte kilometra të tëra që shtrati i lumit ishte i tharë pa rrjedhje minimale ekologjike të mjaftueshme. Nuk u vunë re peshq, bretkosa tipike të lumit”, thekson eksperti Zela. Më tej ai shton se nga një sërë vëzhgimesh në terren si edhe bazuar në dokumentacionin e gjetur për HEC-et e Rapun 1, 2,3 dhe Rapun 4 vërehet se projekti teknik dhe zbatimi i punimeve janë modifikuar dhe nuk është ndërtuar sipas lejes koncesionare dhe të mjedisit fillestar të marra nga subjekti. Sipas tij, arsyeja e ndryshimit dhe modifikimit të projekteve fillestare është bërë sepse në momentin e parë nuk janë kryer studimet e nevojshme si dhe është synuar që të përdoren në maksimum kapacitet ujore të lumit. Ky problem ngrihet në fakt edhe në raportin e KLSH-së ku nga auditimi i dokumentacionit të dosjes, mbas lidhjes së kontratës koncesionare, është konstatuar në shumë raste miratimi i ndryshimeve të projekt-zbatimeve, arsyetuar me qëllimin e mirë për optimizimin e veprave hidro-energjitike, përmirësimin e treguesve energjetik dhe hidroteknik. “Nga auditimi i kontratave koncesionare për ndërtimin e HEC-eve është konstatuar se me miratimin e projekt-zbatimit të ndryshuar, është ulur prodhimi vjetor i energjisë elektrike, kjo është në kundështim me ligjin nr.9663, datë 18.12.2006 ‘Për koncesionet’, i ndryshuar, VKM nr.27, datë 19.01.2007 ‘Për miratimin e rregullave të vlerësimit dhe dhënies së koncesioneve’, i ndryshuar dhe me procedurat e konkurrimit e të shpalljes se fituesit”, thuhet në raportin e auditit të KLSH-së.
Nga auditimi i dokumentacionit në dosjet e koncesioneve për ndërtimin e shfrytëzimin e HEC-eve është konstatuar se koncesionarёt nuk paraqesin informacion mbi realizimin e investimeve në vlerë. Mungojnë situacionet për punimet e realizuara, faturat tatimore e doganore, nuk paraqiten bilancet e shoqërive koncesionare për aktivitetin vjetor etj. Mungojnë procesverbalet e fillimit të punimeve, procesverbalet e mbikëqyrësit për punimet e kryera, etj. “Mungesa e dokumentacioni ka bërë të pamundur vlerësimin real të investimeve të kryera duke sjellë edhe pamundësinë e llogaritjes së penaliteteve nga autoriteti kontraktor. Ministria e Energjisë dhe Industrisë në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore, të bëjnë rakordimin me koncesionarët, plotësimin me dokumentacionin ligjor, teknik dhe financiar që ka dhe duhet të përmbajë dosja e koncesionit dhe sipas konstatimeve të bëjë dhe përllogaritjen e penaliteteve”, rekomandon KLSH. Koncesionet për HEC-et e Rapunit janë fituar nga shoqëria “C&S Construction” sh.p.k e cila mësohet se zotërohet nga Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë. Ajo zotëron 100 për qind aksione të shoqërisë “Energjia Ekologjie” që operon në fushën e prodhimit të energjisë së rinovueshe. Kisha zotëron 100 për qind të kontratës së aksioneve BOT për ndërtimin e hidrocentraleve “Rapun 3” “Rapun 3A” dhe “Rapun 4” në zonën e Librazhdit. Kontrata është në emër të shoqërisë koncensionare “C&S Energy”. Aksionet e kësaj zotërohen 98 për qind nga “Eko Vepra” e cila si aksioner të vetëm ka subjektin “Energjia Ekologjike” dhe vetëm 2 për qind nga një kompani tjetër. Po kështu rezulton se administrator i shoqërisë “Energjia Ekologjike” dhe “C&S Energy” është i njëjti person. Edhe HEC-et Rapun 1 dhe Rapun 2 mësohet se janë në zotërim të shoqërisë së ngritur për llogari të veprimtarisë së Kishës Ortodokse.
Në raportin vjetor të ERE bëhet e ditur se sasia e prodhimit të energjisë gjatë vitit 2014 nga shoqëria “C&S Construction Energy” sh.p.k me centralin Rapuni me kapacitet MW 4.00 tensioni i lidhjes Kv 110 është 33 958 MWh. Koncesioni për Rapuni 1, Rapuni 2 iu dha shoqërisë “C&S Construction” me VKM nr.717, datë 14.05.2008. Fuqia e vendosur është kw 8,250 ndërsa energjia 44,650,000. VKM për Rapuni 3 “C&S Construction” u mor në vitin 2009, ndërsa data e hapjes së tenderit ishte 22 qershor 2009. Vlera e investimit në lekë për këtë vepër është 790,361,250 dhe në euro 5,769,060. Fuqia e vendosjes kw 9,000 energjia 55,066,000. Nga viti 2007 deri në vitin 2013 janë dhënë në total 164 kontrata koncesionare për 435 HEC-e. Vlera e investimit për këto vepra kap shifrën e 345,087,515,245 lekve, fuqia kw 1,930,927 dhe energjia e prodhuar 8,058,883,403.
Your email address will not be published.
Gjykata me standard të dyfishtë, vendime të ndryshme për të njëjtën akuzë
Shkodra nën ujë, banorët: Shteti nuk po vepron
Arrestohet drejtori i policisë kufitare, favorizonte kontrabandën
Kërcënon Dajti: “Pas 23 Qershorit do hap “Kutinë e Pandorës”
Dhunoi prindërit e policit, pranga 50-vjeçarit
Kjo faqe interneti u realizua me mbështetjen e popullit amerikan, përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), në kuadër të Programit për Forcimin e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri (JuST). Shoqata e Gazetarëve për Drejtësi (SHGD) mban përgjegjësi të plotë për brendinë e kësaj faqeje, e cila nuk përfaqëson domosdoshmërisht pikëpamjet e USAID-it apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara. © 2014, Të gjitha të drejtat janë të rezervuara nga Shoqata e Gazetarëve për Drejtësi - SHGD